Kosova dhe Shqipëria po ecin drejt lehtësimit të tregtisë së produkteve ushqimore, duke harmonizuar procedurat sipas praktikave dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Dakordësia u arrit gjatë takimit mes drejtoreshës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti dhe drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Bekim Hoxha
Në fokus të bisedimeve ishte reduktimi i barrierave administrative mes dy vendeve dhe lehtësimi i qarkullimit të produkteve ushqimore, duke ruajtur standardet e sigurisë për konsumatorët në të dy anët e kufirit.
Palët diskutuan për harmonizimin e certifikatave sipas modeleve të fundit të BE-së, koordinimin në trajtimin e njoftimeve të sigurisë ushqimore përmes sistemit RASFF, si dhe njoftimin reciprok për produktet që ri-eksportohen mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe bashkëpunimi në ngritjen e kapaciteteve laboratorike dhe njohja reciproke e rezultateve të analizave.
Diskutimet vazhduan edhe në nivel teknik, ku u trajtuan ndryshimet në certifikatat aktuale dhe mënyra e re e plotësimit të tyre nga inspektorët në terren.
Në takim u theksua gjithashtu se Kosova do të mbështesë Shqipërinë në fushat ku ka avancuar më shumë në zbatimin e standardeve të BE-së, ndërsa Shqipëria do të shërbejë si pikë reference për Kosovën në fazat e ardhshme të procesit të integrimit evropian.
Mbi të gjitha, autoritetet e të dy vendeve ranë dakord që të thellojnë bashkëpunimin, me synim përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore.
Komente










