PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin mes dy shteteve.
Sipas KosovaPress, Haradinaj tha se do të punojnë të ketë lëvizje të lirë mes dy shteteve, ndërsa shtoi se bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e synon në BE.
"Ne kemi dëshirë që qytetarët shqiptarë të vendeve tona kudo që janë të kenë mundësinë e qarkullimit sa më të lehtë, sa më të lirë, sa më të mirë. Ndërsa bashkimi tjetër me siguri që na pret në BE", tha Haradinaj.
Kurse, ministri Bushati u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve nuk është thjesht bashkëpunim ndërshtetëror, por marrëdhëniet ndërmjet partive të të dyja vendeve janë marrëdhënie vëllazërore.
"Diskutuam mbi aktualitetin politik në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe për mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të mbahet më 23 mars në Shqipëri apo edhe takimin e 25 marsit që do të zhvillohet në Kosovë me ministrat e rajonit dhe me përfaqësues të lartë të KE-së. Këto nuk janë thjesht marrëdhënie ndërmjet dy qeverive apo marrëdhënie mes partive, por janë marrëdhënie vëllazërore apo marrëdhënie të karakterit të lartë kombëtar e për pasojë kanë nevojë për kontributin e të gjithëve", theksoi ai.
Haradinaj e Bushati shprehën gatishmërinë të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen në të mirë të të dyja shteteve./m.m/












