Shqipëria do jetë pjesë e misionit
paqeruajtës në Sudanin e Jugut

Shqipëria do jetë pjesë e misionit<br />paqeruajtës në Sudanin e Jugut
TIRANE - Shqipëria do të marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Sudanin e Jugut. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë. Sipas vendimit në fjalë, në misionin paqeruajtës të OKB-së, do të dërgohen dy ekspertë të policisë së shtetit,  detyra e të cilëve do të jetë këshillimi dhe trajnimi i punonjësve të Policisë Kombëtare në Sudanin e Jugut, në mënyrë që të zhvillohet një forcë policore kombëtare e pavarur dhe profesionale, në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të OKB-së.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave bën të ditur se kohëzgjatja e këstij misioni do të jetë 1 vit me mundësi zgjatje të këtij afati. Ndërkohë efektet financiare për periudhën 1 vjeçare të këtij misioni do të përballohet nga OKB-ja, ndërsa policia e shtetit do të mbulojë sigurimin e uniformës, pajisjeve dhe materialeve:

Më poshtë vendimi i plotë i qeverisë:

VENDIM PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME EKSPERTË TË POLICISË SË SHTETIT, NË MISIONIN PAQERUAJTËS TË  KOMBEVE TË BASHKUARA NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, pika 1, shkronja “a”, të ligjit  nr.10438, datë 28.6.2011, “Për pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit në misione policore, paqeruajtëse dhe humanitare jashtë vendit”, të nenit 47, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1.    Dërgimin e dy ekspertëve të Policisë së Shtetit në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS).
2.    Misioni dhe detyrat e ekspertëve të Policisë së Shtetit do të jenë këshillimi dhe trajnimi i punonjësve të Policisë Kombëtare në Sudanin e Jugut, në mënyrë që të zhvillohet një forcë policore kombëtare e pavarur dhe profesionale, në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare të OKB-së.
3.    Kohëzgjatja e këtij misioni është për një periudhe fillestare 1 (një) vit, me mundësi zgjatjeje të këtij afati.
4.    Efektet financiare për periudhën njëvjeçare, gjatë kryerjes së shërbimit, për shpenzimet e transportit vajtje-ardhje për në vendin e dislokimit, akomodimin, sigurimin shëndetësor dhe shpenzimet e jetës përballohen nga OKB-ja, bazuar edhe në udhërrëfyesin e Kombeve të Bashkuara për oficerët e policisë të emëruar në operacionet paqeruajtëse dhe në rregulloret e tjera përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
5.    Policia e Shtetit merr përsipër sigurimin e uniformës, pajisjeve dhe materialeve sipas listës së rekomanduar nga OKB-ja.
6.    Efektet financiare për shpenzimet e parashikuara në pikën 5, janë sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi dhe përballohen nga Policia e Shtetit.
7.    Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni