Shqipëria "dorëzon" mbrojtjen
FSHF: UEFA të jetë objektive

Shqipëria FSHF: UEFA të jetë objektive">
Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur dosjen e plotë me të gjitha faktet rreth ngjarjes së Beogradit duke ia dorëzuar Komisionit të Disiplinës në UEFA-s me qëllim marrjen e fitores në tavolinë 3-0 përballë Serbisë. Federata Shqiptare e Futbollit në Komisionin e Disiplinës do të mbrohet nga dy studio të fuqishme, njëra britanike dhe tjetra zvicerane për të dalë fituese përballë palës serbe.

Mbrojtja e Shqipërisë në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës në UEFA do të bazohet në tre pika. Pika kryesore e mbrojtjes lidhet me dështimin e Federatës Serbe në organizimin dhe funksionimin e ndeshjes së 14 Tetorit në Beograd. Pika e dytë lidhet me hyrjen e tifozëve në fushë dhe goditjen e futbollistëve shqiptarë dhe pjesëtarëve të delegacionit me sende të forta, madje autorë përpos tifozëve kanë qenë edhe punonjësit e sigurisë së stadiumit. Ndërsa pika e tretë bazohet te koret raciste që në fillim të ndeshjes me injorimin e himnit kombëtar të Shqipërisë, aneksimit të flamurit, mesazheve politike ku në një banderolë të madhe shkruhej ”Kosova është Serbi” dhe thirrjeve fyese.

Përsa i përket njërës nga dy akuzat për Shqipërinë, atë të refuzimit për t’u rikthyer në fushë, FSHF shpjegon se  "Shqipërisë në asnjë moment nuk i është kërkuar që të rikthehet në fushë, por është pyetur nëse janë në gjendje për të vazhduar ndeshjen. Përgjigja ka qenë se ne nuk refuzojmë të rikthehemi, por refuzojmë të vdesim". Më datë 23 Tetor do të ballafaqohen provat për vendimin e ndeshjes, ndërsa në Nëntor pritet të merren masa ndëshkuese.

Deklarata e plotë e FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon, se pas një pune intensive 1 javore, në bashkëpunim me ekspertë vendas dhe huaj, se sot më datë 21.10.2014, ka dorëzuar ne UEFA, të gjithë dokumentacionin për Komisionin e Disiplinës, në lidhje me ndërprerjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Stadiumin “Partizani” të Beogradit, më datë 14.10.2014.

Presidenti Armand Duka, së bashku me juristë të studiove juridike shqiptare dhe të huaja, ndodhen në Zvicër, për të mbrojtur çështjen e kombëtares së Shqipërisë, e cila u dhunua që para filimit të ndeshjes deri në ndërprerjen e saj, në stadiumin "Partizani" në Beograd, prej koreve raciste, sendeve të forta, fishekzjarreve, grushtave dhe goditjeve të lojtarëve tanë nga tifozë dhe forca të sigurisë të pranishme në impiant.

Takimi, i pambyllur zyrtarisht, pas minutës së 41 të ndeshjes, është bërë objekt i Komisioneve të UEFA-s. Dy studio ligjore ndërkombëtare, përfshi edhe atë që FSHF ka në dispozicion, për të gjithë aktivitetin e saj juridik, do të jenë prezente me materialet e tyre, për të mbrojtur të drejtat e FSHF, në këtë qëllim.

FSHF shpreson që më datë 23 tetor, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s do të gjykojë me objektivitet, atë që ndodhi në fushën e lojës dhe jashtë saj, për shkak të mosmarrjes së masave dhe të një organizimi të pamjaftueshëm të ndeshjes nga ana e vendit organizator.



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë