Shqipëria drejt 'blerjes' së mijëra punonjësve të huaj, ekspertët: Vijnë të pakualifikuar e nuk plotësojnë nevojat e tregut!

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë shqiptarë zgjedhin emigracionin, punësimi i të huajve janë shpresa e sipërmarrjes. Ky është në dukje thelbi i ‘blerjes’ së punonjësve nga vende të huaja për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e punëtorëve vendas.

Por shifrat e institucioneve në vend, tregojnë të kundërtën. Shumë pak shtetas të huaj janë aktualisht në tregun tonë, edhe pse përpjekjet për të marrë kapital njerëzor nga jashtë kanë nisur që në vitin 2019.

“Megjithëse ky diskutim ka nisur që në vitin 2019, dhe sot jemi në vitin 2024, nuk jemi ende tërheqës”, thotë Erald Pashaj ekspert për çështjet e punësimit.

Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, prej vitit 2019 deri në qershor 2023 janë dhënë 24,590 leje pune për shtetas të huaj dhe pjesa më e madhe e tyre janë lëshuar për punëmarrës të thjeshtë. Por brenda lejeve të dhëna, nuk përfshihen vetëm punonjësit, por edhe leje për biznes, për të vetëpunësuar dhe për vullnetar. Por nga këto nuk ka asnjë të dhënë se sa prej tyre janë aktualisht në Shqipëri, dhe sa janë larguar, për shkak se shpesh vendi është përdorur si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së.

“Emigrimi i parregullt nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, kryesisht atyre të BE-së, vazhdon, çka e konfirmon edhe numri i individëve të ndaluar në kufi dhe territor, si dhe ai kthimeve të detyruara çdo vit. Sipas të dhënave të Eurostatit, nga viti 2019–2022 vërehet një rënie e konsiderueshme e qëndrimeve të parregullta me 7.52%, ndërkohë që në vitin në vijim (2021) konstatohet një rritje prej 10%. Ajo çfarë konstatohet është se të ndaluarit nuk kanë preferuar të kërkojnë azil apo të qëndrojnë në Shqipëri në momentin e ndalimit nga shërbimet e kufirit dhe migracionit, por kanë deklaruar se duan të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të BE-së”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Brendshme për ‘Profilin e migracionit’.

Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e shtetasve të huaj që kanë ardhur për punësim në Shqipëri ishin të pakualifikuar, dhe vinin nga vende shumë të varfra, të Azisë apo Afrikës. Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në akomodim e shërbim ushqimor, në fasoneri dhe industrinë produkteve ushqimore.

Teksa qeveria po bën përpjekje për të marrë afro 40 mijë punonjës të kualifikuar nga një shtet i huaj, që sipas biznesit mund të jenë Filipinet, pedagogu Erion Muça thotë se pjesa më e madhe e tregut kërkon punë elementare.

“70% e kërkesave për punë në Shqipëri janë për punë të thjeshtë, që nuk kërkojnë një kualifikim. Janë punë që lidhen me zanate, që lidhen me arsimin profesional e deri tek teknikë”, pohon pedagogu Erion Muça.

Por sa tërheqës është vendi për pagat që ofron e kushtet e jetesës që të marrë të huaj cilësor?

“Sido që ne të themi ne jemi në fundin e vendeve të Evropës, nuk ka dikush interes për tu larguar nga një vend i Azisë për të vajtur në një vend relativisht të varfër sepse është i renditur i fundit apo i parafundit në Evropë”, pohon Pashaj.

Mirëpo vendi ka me mijëra punëkërkues, që presin të punësohen. Instituti i Statistikave thotë se ne fund të vitit 2023, ishin të regjistruar si punëkërkues pranë zyrave të punës 74,730 persona. Pjesa më e madhe janë me arsim të mesëm, por janë edhe afro 7 mijë të tjerë me arsim të lartë.

Janë mbi 32 mijë punëkërkues të regjistruar që trajtohen me ndihmë ekonomike. Pjesë më e madhe e kësaj kategorie sipas ekspertëve mund të jetë e punësuar në të zezë, dhe për këtë arsye qëndron në skemë për të marrë edhe ndihmën. Po ashtu janë mbi 3 mijë persona që trajtohen me pagesë papunësie, që është shifra më e lartë prej vitit 2021.

Në një përgjigje zyrtare pak kohë më parë të dhënë për Report TV, Agjencia Kombëtare e Punësimit, sqaron se procesi i integrimit të punëkërkuesve në tregun e punës has pengesa të ndryshme lidhur më aftësitë, moshën, statusin social, vendbanimin etj. Kjo për shkak se rreth 45% e totalit të punëkërkuesve janë mbi 45 vjeç dhe 55% me arsim deri 9 vjeçar, çka e vështirëson integrimin e këtyre pu.pa-ve në tregun e punës. Kjo tendencë është me e theksuar në  grupet e veçanta.

K.T./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • luani: 10/05/2024 13:05

    punoni per kthimin e te ikurve zgjidhja me e mire

    Përgjigju
  • Alb: 09/05/2024 17:18

    Kjo ashte politika e bukure shqiptare.

    Përgjigju
  • K.M: 09/05/2024 16:58

    Populli kërkon të importojë politikanë e ministra e kryeministër të kualifikuar por nuk i vjen asnjë. Prandaj laj thaj ka ngel me këta që janë sot do jenë dhe nesër. Mos prisni t'ju vijë i huaji t'ju shpëtojë ju.

    Përgjigju
  • Gimi: 09/05/2024 16:42

    Shqipëria nuk ble dot puntorë vendas. Do blerë të huaj!!!? Nuk e fitoni dot luftën që populli duke ikur iu ka shpallur korrupsionit dhe babëzisë tuaj o pushtetarë me biznesmenët tuaj.

    Përgjigju
  • beni: 09/05/2024 16:30

    RRITNI RROGAT,,,NUK DO BENI SHPIKJE...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie