Shqipëria drejt integrimit
pa simbolet e bashkimit

Shqipëria drejt integrimit <br />pa simbolet e bashkimit
Në Washington kam ardhur me studime për herë të dytë, që prej fillimit të ketij viti, i cili është i mbushur me plotë arritje dhe dështime të qeverisë Shqiptare. Duke mos qenë prezent në Shqipëri prej më shumë se dhjetë vitesh e kam të vështirë të gjykoj progresin e vërtetë që ka arritur lidershipi dhe populli shqiptar gjatë dekadës së fundit, por diçka mbetet për t'u theksuar se Bashkimi Europian ende nuk i ka bërë ftesë zyrtare Shqiperisë për të qenë vend kandidat, ashtu siç e kanë merituar Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia, vende të cilat kanë ambasada nga më dinjitozet dhe shumë të rregullta.

E kundërta ndodh me ambasadën Shqiptare në Washington; prej gati një viti kaloj përpara pronës së vetme të Shtetit Shqiptar, që ndodhet pranë rrugës Connecticut; dhe më bën përshtypje fakti se kjo godinë është e abandonuar komplet, mund të them se është e vetmja ambasadë pa flamur kombëtar në oborrin e saj, jo vetëm kaq por edhe simbolet kombëtare i ka të vjetëruara dhe të “mykura” prej një kohe të gjatë. Ironikisht, dy vendet më të varfëra të Europës - Shqipëria dhe Moldavia - i kanë ambasadat karshi njëra tjetrës.

Moldavia duket se bën kujdes të vecantë në mirëmbajtjen e godinës së saj shtetërore, ndërsa shteti Shqiptar, ka vendosur të abandonoj komplet godinën e tij dhe të shpërngulet në një apartament rreth shtatë blloqje më në qendër të qytetit. Megjithëse pretendohet se nuk është i prekur nga kriza globale e financave, sipas ekspertëve të qeverisë, lë pas dore ose mundohet të kursej disa qindarka më shumë në arkën e shtetit, në kurriz të braktisjes së simboleve kombëtare dhe rregulimit të shqypit (stema zyrtare) zyrtar sipas kushtetutës së Shqipërisë; dhe duke mos blerë një flamur të denjë për këtë godinë të vetme, që e ka në pronësi; dhe historia nuk mbaron këtu: porta kryesore e godinës i ka xhamat të thyera dhe mbahet vetëm nga dy rrjeta hekuri; në stemën zyrtare të Shqipërisë e vendosur në ballkonin e katit të dytë, është vetëm një shqiponjë dy krenare “e lënë vetëm” nga përkrenarja e Skëndërbeut.

Godina në tërësi ka nevojë për rregullim total, dhe në qoftë se rikonstruktimi nuk bëhet në javët në vazhdim, pa dyshim se ndërtesa do jetë ne kushte akoma dhe më të këqija. Duke parë godinën nga jashtë, ajo ka nevojë edhe për ndërimin e dritareve dhe një pastrim komplet të kanaleve të kullimit të ujrave të çatisë. Ambasadës jo vetëm që i mungon ai që quhet flamur kombëtar por ka nevojë në mënyrë urgjente për t'u restauruar, jashtë edhe brenda, si një godinë historike e qytetit ose më mirë e kryeqytetit të botës.

Kam dashur që herët të shkruaj mbi këtë temë delikate, ku përdhosen pa dashur, simbolet kombëtare, por mendoja se ishte diçka tranzitore dhe vendosa ti jepja rreth një vit kohë ambasadorit të Shqipërisë, i cili ka filluar detyrën prej muajit shkurt të këtij viti në mbyllje. Ambasador Galanxhi megjithëse ka ndëruar zyrën e vet (ka shkuar në një godinë tjetër bashkë me gjithë stafin e tij), por edhe në këtë ambient ai ka vendosur një flamur mesatar, që po vjetërohet shumë shpejt, jashte dritares së zyrës se tij, dhe po i shndërrohet ngjyra nga e kuqe në Rozë; edhe kjo përbën një imazh përfaqësimi jo të denjë nga pala e shtetit Shqiptar; ç’farë i kushton ambasadës të blej një shtyllë flamuri prej nikeli ku të varët denjësisht shqiponja dykrenare, si gjithë flamujt e tjerë.

Kam patur fatin të komunikoj nga afër me disa prej zyrtarëve të ambasadës dhe ndonëse më japin të drejtë, nuk reagojnë dhe vazhdojnë rutinën e përditshme sikur gjërat janë më së miri, në vend që t’a shndërrojnë atë godinë në një vend ku komuniteti shqiptar të mblidhet dhe festoj apo të zgjidh halle të ndryshme. Mungesa e flamurit Shqiptar në këtë seli të veçantë, më kujton flamurin Paraguajan në një fshat të largët të Paraguay-it (në kontinentin e largët të Amerikës së Jugut) i cili ishte varur prej një oficeri policie tek kasollja e banjos pranë godinës së Policisë në Fshatin ku unë kryeja shërbimin si Këshilltar i Peace Corps – Paraguay.

Oficerit të policisë i bëra kërkesë disa herë për t’a hequr flamurin kombëtar nga ai vend i rëndomtë, dhe përgjigja e tij ishte: -“Nuk e di ti se sa patriot jemi ne?”, në krye të javës mora nje çekan, një thes mielli bosh, disa gozhdë, dhe zëvendësova flamurin kombëtar me tre ngjyra (që kryente funksionin e perdes) me këtë thes mjelli prej najloni. Pas disa muajsh fjala mbërriti tek shefi madhor i policisë, dhe oficeri që neglizhoj këshillën time, u degdis me urdhër të veçantë në Çako (Chaco) Paraguay, një vend i thatë ku është shumë vështirë për të jetuar.

Nuk uroj që të njejtat masa ndëshkimore të merren edhe për diplomatët tanë të nderuar, dhe të degdisen në Afganistan apo Honduras, pse jo edhe në Bjeshkët e Namuna, por një qeveri me një kryeministër që nuk jep asnjë intervisë pa patur flamurin kombëtar në krahun e tij të djathtë, nuk duhet të mbërrijë deri në këtë gjendje. Shpresoj që puna te mos shkoj deri aty sa te ngrihet fqinji moldav, në krahun tjetër të rrugës dhe t'i dergoj disa të holla Ambasadorit të RSH, me motivacionin për të blerë një flamur kombëtar, një shqyp prej hekuri, pse jo edhe një çark për minjtë. Diplomatet Shqiptar mjafton të hedhin një sy tek ambasadat përreth dhe nëse shikojnë ndonjë godinë perfaqësie ku mungojnë simbolet kombëtare – edhe ambasada e Kamerunit është duke u rregulluar aktualisht, dhe flamuri i këtij shteti afrikan valëvitet gjithmonë përjashta godinës, - atëhere Shqipëria nuk qenka e vetmja, por besoj se do të vërtetohet e kundërta dhe imazhi i Shqipërisë nuk krijohet vetëm me dogma dhe fjalime, por me punë, emancipim, fantazi dhe atdhe-dashuri.

Uroj që kjo godinë historike të mos shitet nga shteti shqiptar por të rregullohet dhe bëhet një ambasadë që i ka për hije një shteti Europian dhe perëndimor ashtu siç është me të drejtë Shqipëria.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer

Skandali te Onkologjiku, mjekja Dollenberg: Shokuese, bluzat e bardha s’mund të bëjnë pazar me pacientët me kancer