Me garimin e 4 skiatorëve në Slalom Shqipëria mbylli përfaqësimin në Lojërat Olimpike Dimërore të Milano-Cortina-s. Për herë të parë që nga 2006-ta qëllimi nuk ishte vetëm pjesëmarrja.

“Ishte historike, me 4 sportiste. 3 kuota për vajza dhe 1 për meshkuj. Ne nuk ishim vetëm turistë këtë herë, vetëm për të parakaluar, por me të drejta të plota. 3 për vajza kishte Sllovenia e Shqipëria, ndërsa asnjë vend tjetër ballkanik si Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Serbia apo Rumania që e kanë shumë më shumë traditë sa ne skinë nuk kishin kaq sportistë,”-u shpreh Etrit Xhunglini, sekretar i FSHS.

Rekordi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore ishte vendosur në 2022-shin falë Deni Xhepës, i cili u rendit i 28-ti në Slalom, por në Milano-Cortina Lara Colturi e përmirësoi atë. Edhe pse pritshmëritë ishin për medalje, 19-vjeçarja u rendit e 16-ta në Slalomin Gjigand dhe e 10-ta në Slalom.

“Pritshmëritë tona, por edhe të medias ishin më të larta, por duhet të jemi koshient që po ndeshemi me titanët e skive botërore, me ekipe që kanë miliona euro buxhete, si Amerika, Zvicra apo Austria,”-tha Xhunglini.

Për Report TV Etrit Xhunglini sekretar i Federatës Shqiptare të Skive theksoi se është jetike të rritet fondi sidomos për skitë, që sporti ta përkthejë në rezultate më të mira. Ai shpreson se Ligji i Sponsorizimeve, të miratohet këtë vit pas premtimit të politikanëve.

Deni Xhepa ka një potencial të madh sepse për pak pikë të federatës ndërkombëtare mund të hyjë në cirkuitin e kupës së botës. Semire Dauti ka një të ardhme të ndritur, sepse me pak trajnim mund të kualifikohej edhe në Doënhill, teksa ishte Super G, Super Giant dhe Slalom, ndërsa Lisa Brunga që është vetëm 17 vjeç është në një nga klubet më të mira të Kanadasë në Toronto,”-deklaroi ai.

Me ‘më të vjetrin’ Deni Xhepa vetëm 22 vjeç, eksperiencat e fituara në këto Lojëra Olimpike, sipas Xhunglinit, do të na japin një të ardhme edhe më pozitive, në Lojërat Olimpike të 2030 në Paris