Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se mënyra sesi është ndërtuar skema e dhënies së bonuseve mujore ka krijuar pakënaqësi tek mijëra pensionistë që kanë pritur të përfitojnë, por që ndodhi e kundërta.
“Janë 104 milion euro që janë para shtesë për pensionistët tanë, por qeveria nuk arriti të nxjerrë me transparencë të plotë që për një kategori janë 40.000 pensionistë me pension mbi 40 mijë lekë pensioni në muaj që nuk përfitojnë. Ka gjeneruar një cunam të mirëfilltë pakënaqësie”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.
“Shpesh herë ne në Shqipëri i bëjmë gjërat me nxitim, që do të thotë nxjerrim lajmin e mirë që do të bëjmë këtë gjë dhe më pas kur bëjmë llogaritjet sa pensionistë janë, sa duhet nga buxheti i shtetit, kuptohet që ajo shuma e siguruar në buxhetin e shtetit është e pamjaftueshme për të kënaqur gjithë pensionistët”, thotë ekspertja Romina Radonshiqi.
Ekspertët kanë kritika edhe për dhënien e pjesshme të bonusit, kur pensionisti e ka pensionin afër tavaneve. Pra kur një pensionist rural merr 17.500 lekë në muaj nuk merr 1 mijë lekë bonus, por 500 lekë.
“Kjo është një farsë që nuk është shumë e madhe, por ama gjeneron shumë pakënaqësi. Po pse dikush tjetër që merr një pension të afërt ose të barabartë me mua, e merr shtesën 18.000 lekë të vjetra në muaj dhe unë nuk e marr sepse ke pension suplementar. Po kush ta tha? Është padrejtësia më e madhe se s'ke qenë transparente që në fillim”, thekson Çoçoli.
“Të mendosh që një individ, një pensionist i cili ka një nivel të lartë pensioni nuk e ka vetëm për faktin që është i pasur, por fakti se së pari ka kontribuar më shumë dhe e dyta është fakti që ai ka dalë së fundmi në pension dhe ne e dimë shumë mirë që ato që dalin së fundmi në pension, kanë një nivel pensioni më të lartë për shkak dhe të nivelit të kontribut”, thotë Radonshiqi.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Afro 90 mijë pensionistë pa bonus në janar! Ministria e Ekonomisë për Report TV: Skema do rishikohet










