Shqipëria po forcon diplomacinë parlamentare për të avancuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku Kuvendi luan një rol kyç. Kjo u konfirmua gjatë takimit që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.  Peleshi u shoqërua nga delegacioni i Kuvendit, përfshirë Igli Hasanin, Kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme; Ulsi Manjën, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike; Evis Kushin, Zv/Kryetare e Komisionit për Arsimin, Shkencën dhe Sportin; si dhe Ambasadorin e Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha.

Gjatë bisedës me zyrtaren europiane, Peleshi shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian dhe theksoi se perspektiva europiane e Shqipërisë mbetet e qartë, afatgjatë dhe e pakthyeshme. Ai nënvizoi se anëtarësimi nuk është thjesht një slogan politik, por një proces transformues për institucionet, qeverisjen dhe jetën e përditshme të qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e konsensusit politik, parlamentar dhe mbështetjes së gjerë popullore.

Në qendër të diskutimeve ishte progresi në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Peleshi theksoi se Shqipëria është vendi kandidat me vendosmërinë më të madhe dhe ritmin më të shpejtë drejt familjes europiane, me reforma të bazuara në rezultate konkrete dhe tregues të matshëm.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kontributit të Kuvendit në këtë proces, përmirësimeve ligjore dhe strukturore që e përshtatin më mirë rolin e tij në qendër të procesit të integrimit.

Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë dhe bashkëpunimin e ngushtë të Kuvendit me Parlamentin Europian, si dhe angazhimin institucional për përshpejtimin e integrimit europian. Ajo e konsideroi hapjen e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë si një sinjal të qartë të përkushtimit të BE-së ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane.

Në përfundim, Peleshi rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme, duke e konsideruar Parlamentin Europian një partner kyç dhe një busull morale për projektin europian.