DURRËS-Drejtuesit e policive kufitare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë kanë zhvilluar një takim duke u dakordësuar mbi patrullimet e përbashkëta për rritjen e kontrollit detar në Adriatik me qëllim parandalimin e trafikut të drogës.
 
Delegacioni shqiptar kryesohej nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj.
 
Qëllimi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit mes të tre vendeve në fushën e kufirit dhe migracionit.
 
Intensifikimi i luftës ndaj trafiqeve të paligjshme në kufirin blu, por edhe në atë të gjelbër ishte një çështje që zuri një vend të veçantë gjatë bisedimeve.
 
Gjatë takimit u vendos për një protokoll trepalësh për patrullimet e përbashkëta në hapësirën detare të tre vendeve në detin Adriatik.
 
Mes drejtuesve të policive kufitare të tre vendeve u dakordësua shkëmbimi i menjëhershëm i informacioneve në lidhje me të gjitha mjetet detare që ndryshojnë vendbazimet dhe të atyre që deklarojnë se do të lëvizin drejt njërit nga tre vendet.
 
Gjithashtu, u ra dakord për një shkëmbim informacionesh të menjëhershme në lidhje me imigracionin e paligjshëm.
marrveshja me detin
marrveshja me detin
(Drejtuesit e policive kufitare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë sot gjatë takimit në Durrës)

dy.b/shqiptarja.com