Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe në Europë

Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe në Europë

Paga minimale në Shqipëri është 211 euro, ndërsa në Maqedoni 240 euro, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen janarit 2019. Por, ndonëse në vlerë absolute, paga minimale në Shqipëri është sa 89% e asaj në Maqedoni, një individ me një pagë minimale në Shqipëri, mund të blejë vetëm sa 75% e volumeve të mallrave dhe shërbimeve që blihen në Maqedoni.

Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe BE në vlerë absolute, por sidomos diferenca është shumë e lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse, një njësi e Bashkimit Europian, që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash.

Ata që paguhen me pagë minimale në vendin tonë, blejnë më pak volume të mallrave dhe shërbimeve edhe se më pak të paguarit e rajonit. Kjo nënkupton se paraja ka shumë më pak vlerë në Shqipëri, për shkak të çmimeve të larta të produkteve në raport me të ardhurat.

Eurostat ka përllogaritur nivelin e pagave minimum në vendet e Bashkimit Europian, vendeve kandidate, si dhe Turqisë dhe ShBA-së, duke u bazuar në Standardin e Fuqisë Blerëse PPS.

Në 2019-n një shqiptar me pagë minimale, të përcaktuar sipas ligjit, merr në fund të muajit 389 PPS. Paga minimale në Shqipëri shprehur me Standardin e Fuqisë Blerës është sa 75% pagës minimale në Maqedoninë e Veriut.

Me metodën e Standardit të Fuqisë Blerëse, paga minimale në Maqedoninë e Veriut përllogaritet rreth 509 PPS në muaj, në Malin e Zi 525 PPS në muaj, ndërsa në Serbi 578 PPS në muaj.

Sipas fuqisë blerëse, Turqia ka një pagë minimale rreth 3 herë më të madhe se Shqipëria. Eurostat ka llogaritur se paga minimale në Turqi është 1,177 PPS në muaj. Kjo do të thotë se me pagën minimale në Turqi mund të blesh tre herë më shumë volume mallrash dhe shërbimesh. Paga minimale në Turqi është 422 euro, pra dyfish sa ajo e Shqipërisë në vlerë absolute, por që realisht vlen tre herë më shumë.

Eurostat i ka grupuar në 3 grupe të mëdha vendet anëtare të Bashkimit Europian sipas nivelit të pagës minimale.

Në grupin e parë janë përfshirë vendet me pagë minimale të ulët. Bullgaria ka pagën më të ulët ndër vendet anëtare, me 577 PPS në muaj. Më pas renditet Letonia me 591 PPS, Estonia me 691 PPS, Çekia me 743, Sllovakia dhe Kroacia me 745 PPS dhe  Hungaria me 765 PPS në muaj.

Në grupin e dytë paga minimale varion nga 800-933 PPS në muaj. Në këtë grup përfshihen vendet si Greqia, Portugalia, Rumania, Malta, Spanja dhe Polonia.

Në vendet me pagat më të lartë, ku sipas Eurostat varion nga 1059-1646, bëjnë pjesë vendet me industri të zhvilluar. Luksemburgu ka pagën më të lartë me 1646 PPS në muaj, e ndjekur pas nga Gjermania me 1497 PPS dhe Holanda me 1442 PPS.

Në Danimarkë, Itali, Qipro, Austri, Finlandë dhe Suedi, Eurostat ka shpjeguar se nuk ka një pagë minimale të përcaktuar nga shteti.

Standardi i Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard PPS) është një referencë artificiale e një njësie monedhe të përbashkët, e përdorur nga Bashkimi Europian, e cila eliminon diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve. Pra, njësia matëse PPS të lejon që të blesh të njëjtën sasi të mirash dhe shërbimesh në të gjitha shtetet.

Kjo njësi të jep mundësin që të krahasosh në volum indikatorët ekonomik midis shteteve. Agregatet e shprehur në PPS janë të përllogaritur duke pjesëtuar agregatin e shprehur në çmime korrente dhe në monedhën kombëtare me Barazinë e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Parity PPP).

Fakti që monedha shqiptare ka pak vlerë tregohet dhe tek të dhënat e tjera të Eurostat, për shpenzimet për ushqime.  Sipas këtyre të dhënave, për Shqipërinë, shpenzimet nominale për ushqime, përbënin 31% të prodhimit e brendshëm bruto (GDP- që mat prodhimin e ekonomisë në një vit, apo dhe të ardhurat që sigurohen nga puna dhe pronat).

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë shumë më të larta. Për mesataren e BE-së, ky tregues është vetëm 6% e GDP-së, ku më i larti është në Rumani, me 15.8% të GDP-së dhe më i ulëti në Irlandë dhe Luksemburg me 2.7 dhe 2.6% të PBB-së.

Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së, për Maqedoninë e Veriut 19% dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP. Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate (pa përfshirë Kosovën dhe Turqinë), mesatarja është 19.7%. http://www.monitor.al/shifrat-e-eurostat-shqiptaret-jetojne-per-tu-ushqyer-nje-e-treta-e-ekonomise-shkon-per-buke-e-ushqime/

Burimi: Eurostat, përpunimet e Monitor

Burimi: Eurostat, përpunimet e Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bruno: 18/04/2019 11:23

    Kete rrogen minimale 211 euro nga e kane gjete. Ka akoma pensiones 55 euro. Ka firma primate qe punesojne kryesishte grate me me pak se 150 euro.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë