Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, kërkoi në Nju Jork që t’i jepet përparësi kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Sipas tij, përfshirja e Kosovës do të forconte bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për përballimin e kërcënimeve të sigurisë.
Hoxha e ngriti këtë çështje gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë. Ai tha se kërkesa e Kosovës ka mbetur në pritje prej një kohe tepër të gjatë.
“Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje prej shumë kohësh. Përparimi në këtë çështje do të forconte bashkëpunimin në rajon dhe aftësinë tonë të përbashkët për të përballuar sfidat e sigurisë. Një Kartë e Adriatikut (A5) më e hapur, më e fortë, më gjithëpërfshirëse dhe e aftë t’u përshtatet sfidave të reja do t’i shërbente një Ballkani Perëndimor më të sigurt. Ajo mbetet e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike”, u shpreh ministri.
Karta e Adriatikut është një mekanizëm bashkëpunimi për sigurinë rajonale dhe integrimin euroatlantik. Hoxha tha se, më shumë se dy dekada pas krijimit të saj, ajo duhet t’u përshtatet kërcënimeve të reja, si sulmet kibernetike, rreziqet për sigurinë energjetike dhe ndërhyrjet e huaja në informacion.
Sipas tij, siguria afatgjatë në Ballkanin Perëndimor kërkon që të gjitha vendet e rajonit të përfshihen në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët.
Lajmi kryesor:
Hoxha takon në New York zëvendës-ndihmës Sekretarin për Evropën Perëndimore: Koordinim i vazhdueshëm me SHBA për prioritetet e përbashkëta









