Shqipëria sot mbylli për herë të parë 3 kapituj nga 33 që janë, të procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Nga Brukseli, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist se procesi i zgjerimit të Unionit do të vazhdojë dhe deri më tani nuk janë shfaqur arsye që mund të vënë në pikëpyetje nismën.
"Ajo çfarë është e rëndësishme është që deri më tani jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz që është diskutuar dhe për të cilin është rënë dakord në ndërveprimin tonë me Komisionin. Dhe falë detyrave të pareshtura të shtëpisë që kemi bërë deri tani, ky kalendar bëhet gjithmonë e më ambicioz dhe ne duhet të punojmë gjithmonë më tepër, pareshtur.
Nëse atmosfera do të vazhdojë të jetë ajo çfarë kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të fundit, çdo gjë do të jetë aty ku duhet dhe çdo detyrë shtëpie do të bëhet si duhet. Deri tani nuk kemi ndonjë arsye të besojmë se do të ketë një ndryshim të atmosferës.
Dje në takimin e Koalicionit të Vullnetshëm patëm edhe një qasje për këtë proces, për vendet që janë në negociata aktive, dhe të gjithë janë të prirur që të shkojnë përpara, dhe të gjithë janë të prirur të gjejnë mënyra edhe më të shpejta për ta vlerësuar këtë. Gati për të ecur përpara dhe për t’u përballur edhe me sfidat nëse shfaqen.
Siç e thashë, presidenca irlandeze na jep komfort, sepse Irlanda është një vend që ka dëshmuar se progresi eksponencial është i mundshëm dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë përveç ekselencës si objektiv.
Të jesh i shkëlqyer në objektivin e presidencës do të thotë të mbyllësh më shumë kapituj me ne dhe të tjerët në fund të vitit",-tha Rama.
Lajmi kryesor:
Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë të negociatave me BE! Rama: Vlerësim i qartë për rezultatin e reformave! Marta Kos: Protestat në Tiranë nuk ndikojnë në procesin e anëtarësimit










