Ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, Momtchil Raytchevski gjatë paradites së sotme ka qenë i pranishëm në Universitetin “Fan S. Noli” ku u zhvillua një vizitë me një delegacion të përbërë nga drejtues dhe pedagogë të universiteteve Bullgare.
I pyetur nga gazetarët lidhur me mbështetjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për integrimin e tyre në BE, ai tha se Bullgaria po jep përkrahjen e saj pa kushte dhe aktive në zgjerimin europian.
“Presidenti Meta sapo mbylli vizitë zyrtare në Sofie ku presidenti Bullgar nënvizoi përkrahjen pa kushte të Bullgarisë për integrimin e republikës së Shqipërisë por me Maqedoninë e Veriut jemi në një periudhë të bisedimeve shumë intensive, qeveria e re bullgare krijoji 10 grupe pune të cilët punojnë për një interes të përbashkët dhe ku shumë shpejt mund të arrijnë në rezultate konkrete. Bullgaria ka qenë dhe do të mbetet një nga mbështetësit më aktiv të zgjerimit europian.”, tha ai.
Një përgjigje ka dhënë ambasadori edhe lidhur me kërkesën e Shqipërisë për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut sa i përket anëtarësimit në BE.
“Çfarë do të kërkojë Shqipëria ky është vendim i republikës së Shqipërisë. Unë nuk mund të komentoj sa i përket kushteve përsëri them që Shqipëria ka bërë punën e vet.”, u shpreh ai.
“Në kushtet kur lufta vazhdon në Ukrainë, BE a duhet të bëjë më shumë për Ballkanin perëndimor?”, kjo ishte një tjetër pyetje nga gazetarët.
Sipas Raytchevski BE po bën mjaftueshëm dhe se me rëndësi në këto momente është thjesht përfundimi i luftës.
“Unë mendoj që BE tashmë po bën shumë, mendoj më me rëndësi aktualisht është përqendrimi i të gjithëve në përfundimin e luftës.”, u shpreh ai.
Presidenti Ilir Meta ka qenë në një vizitë zyrtare në Bullgari ku takoi homologun e tij Radev.
Kujtojmë që Bullgaria i ka vendosur veton Maqedonisë së Veriut, sipas të cilëve nuk kanë respektuar marrëveshjen e fqinjësisë të nënshkruar në 2017 ndërsa politika shtetërore maqedonase, sipas tyre, bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të gjuhës Bullgare.