Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një video ku përballen dy qëndrime të kryeministrit Edi Rama për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Në videon e publikuar, Bardhi risjell një deklaratë të Ramës në mars 2025, pak para zgjedhjeve, ku kryeministri premtonte se shqiptarët do të përfitonin të drejta të plota si anëtarë të BE-së, përfshirë edhe të drejtën për të votuar dhe për t’u përfaqësuar në Parlamentin Europian.

“Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë, edhe për Parlamentin Europian, gjithashtu. Ndërkohë që edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve europiane”, është deklarata e Ramës në mars 2025.

Ndërsa në një qëndrim të shprehur pak ditë më parë, Edi Rama mban një linjë të kundërt, duke u tërhequr nga ky premtim.

“Pse duhet ne patjetër që, që në momentin e parë, të kemi edhe deputetët tanë në Parlamentin Europian? Apo se i mungojnë Parlamentit Europian druvarët, që duhet t’ia çojmë ne me shpejtësi?!”, u shpreh Rama pak ditë më parë në një konferencë për gazetarët, duke shpjeguar qëndrimin e tij të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për heqjen dorë tani nga të drejtat e plota si vend anëtar.

Gazment Bardhi shprehet se ky ndryshim rrënjësor i qëndrimit në një kohë kaq të shkurtër, tregon sa shumë i ka mashtruar Rama shqiptarët para zgjedhjeve dhe sa i pabesueshëm është ai si kryeministër. Madje, kreu i grupit parlamentar e ironizon Ramën duke përdorur shprehjen e tij për “Noc Rrokun”, për të theksuar se, sipas tij, me Ramën në krye të qeverisë, nuk mund të pritet asnjë rezultat pozitiv për integrimin europian.

“Nga seria “Noc Rroku”, varianti (anti)europian!

Kur një kryeministër si Edi Rama përdor pushtetin për të vjedhur qytetarët e vet, ai nuk mban dot asnjë premtim. As atë më të madhin e jetës së tij politike: Shqipëria anëtare e BE-së brenda vitit 2030.

Para zgjedhjeve premtoi pasaportë europiane, të drejta politike dhe votë në Parlamentin Europian, ndërsa sot u tregon shqiptarëve “Noc Rrokun”.

Sepse prioriteti i tij nuk është lufta kundër korrupsionit, por mbrojtja me votë e tij.

Nuk është pavarësia e drejtësisë, por kontrolli i sistemit.

Nuk është mirëqenia e shqiptarëve, por mbajtja e pushtetit me çdo kusht”, shkruan Bardhi krah videos.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Mars, 11:49

    PS propozon ligj për zhvillimin e referendumeve, a jeni dakord?