TIRANE- Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të jetë pjesë e koalicionit për mbështetjen e Qeverisë së Irakut me armë të lehta dhe municione në luftën kundër terroristëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL).
Përmes një deklarate për shtyp, qeveria shqiptare bëri të ditur sot se "si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere".
"Praktikat barbare të ISIL dhe situata humanitare katastrofike në Irak na vënë të gjithëve para përgjegjësisë morale për të bërë ç'është e mundur kundër errësirës që përpiqen të sjellin mbi njerëzimin forcat e verbra të terrorizmit", thuhet në këtë deklaratë.
Qeveria konfirmon se çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE./ATSH/