/ATSH-Z.Tosku/- Shqipëria është një nga 11 vendet e para ku do të zbatohet nisma globale për të forcuar pozitën e vajzave në gjithë botën.
Administrata e Presidentit Obama ka ndërmarrë një nismë globale për të forcuar pozitën e vajzave në gjithë botën, përmes arsimimit dhe thotë se pamundësia e vajzave për të shkuar në shkollë duhet të jetë një përparësi e politikës së jashtme.
Varfëria, mungesa e burimeve dhe normat kulturore, i pengojnë vajzat në shumë vende të botës që të vazhdojmë studimet dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, është vënë në krye të përpjekjeve për ta ndryshuar këtë realitet.
Nisma "Let Girls Learn", "Lërini vajzat të mësojnë", ka në qendër vajzat adoleshente, pasi sipas shifrave botërore, numri i vajzave që shkojnë në shkollë bie në mënyrë drastike nga shkolla nëntëvjecare në të mesmen.
Sipas Zerit të Amerikës, nisma e re e Shtëpisë së Bardhë "Let Girls Learn", "Lerini vajzat të mësojnë", çon më tej një fushatën e USAID-it për ndërgjegjësimin e publikut dhe synon arsimimin e vajzave adoleshente, që në të ardhmen të ndertojnë familje më të shëndetshme, një komunitet të fortë dhe një të ardhme më të ndritur. Zonja e Parë, Michelle Obama, vizitoi Japoninë dhe Kamboxhën në mars për të mbështetur këtë nismë.
Nisma do të zbatohet në mbi 60 vendet ku është i pranishëm me vullnetarë Korpusi i Paqes. Nga 11 vendet e para ku fillojnë përpjekjet është Shqiperia. Disa nga këto vullnetaret e Korpusit të Paqes u mblodhën së fundmi për një aktivitet në Tiranë. Mes të tjerash, vullnetaret si Mary, organizojnë disa kampe për vajzat, që quhen GLOW "Girls Leading Our World", "Vajzat që Drejtojnë Botën", për të nxitur barazinë gjinore dhe forcimin e pozitës së të rejave. Njëra prej tyre është Mary Quandt.
"Me (kampin) GLOW ishte mundësi shumë e mirë për të folur veç e veç, për shembull për temat që nuk flasin dot me prindërit. Meqë unë jam vullnetare shëndetësore kam shumë qejf të flas për shëndetin, për shëndetin e trupit, higjienën e të tjera. Dhe kam një bashkëpunëtore tjetër që punon me vetëvlerësimin dhe qëllimet personale etj", thote ajo.