Armët nga Shqipëria bien në duart e xhihadistëve të ISIS e madje janë përdorur edhe në sulmet terroriste që tronditën Parisin në nëntor. Me titullin “Shqipëria – porta e xhihadit” televizioni italian RAI ka realizuar një reportazh në Shqipëri, konkretisht në Shkodër, duke zbuluar mënyrën se si trafikantët shqiptarë të armëve arrijnë t’i kalojnë ato jashtë vendit.

Një kallashnikov arrin të shitet deri në 400-450 euro, ndërsa granatat 60-­70 euro.

Protagonist i këtij reportazhi është vetë gazetari i RAI i cili ka kaluar me varkë Liqenin e Shkodrës për të takuar trafikantët, të cilët gjatë gjithë realizimit mbeten anonim. Dy trafikantët kalojnë kufirin me varkë në Mal të Zi, së bashku me armët të cilat do të trafikojnë. Por armët ngarkohen edhe në peshkarexha në Durrës dhe në qytetin bregdetar të Vlorës, për të përfunduar në duart e grupeve mafioze që ja çojnë terroristëve për sulme të ndryshme në Evropë dhe jo vetëm.

 “Varka del nga hiçi. E shohim mes degëve të barishteve, ndërsa i afrohet bregut të liqenit, që shënjon kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në bord ka dy njerëz dhe dy ngarkesa me kallashnikovë, granata dhe pistoleta. Më këto armë janë furnizuar xhihadistët që gjakosën Parisin më 13 nëntor”, thotë gazetari italian në reportazh, i cili flet me një nga trafikantët shqiptarë.
 
 

Shqipëria porta e Xhihadit

Posted by on 2016-01-13


Ndërsa vetë trafikanti shpjegon se armët më të kërkuara janë AK47 (kallashnikov), pistoletat e vjetra sovjetike dhe armët e ish-Jugosllavisë. Trafikanti i ri në moshë, thotë se nuk i ka interesuar asnjëherë se kush i blen armët që ata trafikojnë, por di se ato kalojnë në të gjithë Evropën. 

"I blejnë atyre që u shërbejnë, kush mund t'i përdorë", - shprehet trafikanti shqiptar nga Shkodra.

Më herët ishte një televizion francez i cili bëri një reportazh për trafikun e armëve nga Shqipëria në Evropë, ku nuk përjashtoi mundësinë se ato të ishin përdorur nga terroristët në masakrën e Parisit më 13 nëntor.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)