Shqipëria ka anuluar hyrjen pa viza për shtetasit rusë. Ky vendim, u mor ditën e djeshme në Këshillin e Ministrave. Së bashku me Federatën Ruse do ndalohet hyrja pa viza edhe të qytetarëve nga India dhe Egjipti.

 Tashmë, rusëve do t’i duhet të aplikojnë për vizë pranë ambasadës shqiptare.

 “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse bën me dije, se në përputhje me ndryshimet e datës 20 prill 2023 në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 858, datë 29.12.2021, anulohet regjimi pa viza për shtetasit e Federatës Ruse (çdo vit nga 1 maji deri më 30 shtator)”, thuhet në një mesazh të publikuar në faqen e ambasadës shqiptare në Moskë.

Edhe ambasada e rusisë në Tiranë ka dhënë njoftimin për shtetasit rusë me anë të një reagimi në rrjetin social, Facebook. 

Kujtojmë një vit më parë, kur Rusia nisi agresionin e paprecedentë në Ukrainë, Shqipëria ishte një ndër vendet e para e cila e sanksionoi dhe e dënoi këtë sulm. Aso kohe, aktualiteti vendas debatoi nëse shtetasve rusë do u hiqej mundësia e udhëtimit pa viza, por kreu i qeverisë Rama ngulmoi se kjo gjë nuk do të ndodhte për aq kohë sa nuk e kishin bërë as vendet e BE-së.

Si rrjedhojë, për të vizituar Shqipërinë, shtetasit rusë duhet të aplikojnë për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit, thekson misioni diplomatik shqiptar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:53
Shqipëria rikthen regjimin e vizave për shtetasit rusë, reagon Ambasada e Rusisë në Tiranë

1682099689_dhf.jpg

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për pezullimin e vizave turistike për shtetasit rusë. Vendimi është marrë me anë të një VKM.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada ruse njofton se Shqipëria përjashton Federata Ruse nga lista e shteteve, shtetasit e të cilëve mund të hyjnë në Republikën e Shqipërisë për qëllime turistike nga data 1 maj deri në shtator 30 pa lëshuar vizë.

Tashmë, shtetasit rusë që posedojnë pasaporta të huaja të rregullt, duhet të lëshojnë vizë shqiptare në përputhje me qëllimin e udhëtimit.

“VËMENDJE QYTETARËT RUSË QË PLANIFIKOJNË TË VIZITOJNË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Me rezolutën e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë datë 20.04.2023 (hyrë në të njëjtën ditë) u ndryshua Rregullorja e saj nr.858 e datës 29.12.2021. “Mbi vendosjen e kritereve, procedurave dhe dokumenteve për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë”, ku deklaron se Federata Ruse përjashtohet nga lista e shteteve, shtetasit e të cilëve mund të hyjnë në Republikën e Shqipërisë për qëllime turistike nga data 1 maj deri në shtator 30 pa lëshuar vizë.

Me fjalë të tjera, për të vizituar Republikën e Shqipërisë këtë, si dhe në çdo periudhë tjetër gjatë vitit, shtetasit rusë që posedojnë pasaporta të huaja të rregullt, duhet të lëshojnë vizë shqiptare në përputhje me qëllimin e udhëtimit. Kujdes të shmangni keqkuptimet!”- thuhet në njoftimin e ambasadës ruse.