TIRANE - Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, reagoi sot nëpërmjet një deklarate për shtyp në lidhje me fjalën e mbajtur të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për masat antikrizë. Sipas tij, Sali Berisha bëri publike shifra dhe fakte të fabrikuara, që qëndrojnë jashtë realitetit.

“Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u përqendrua sërish tek ekonomia. Jo për tu shpjeguar shqiptarëve krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi ynë, as për të prezantuar masat antikrizë të ndërmarra nga qeveria, por për të gënjyer dhe për të bërë publike të tjera shifra dhe fakte të fabrikuara, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që jeton çdo familje shqiptare apo me situatën reale ekonomike të Shqipërisë.”, u shpreh Ilir Beqja.

Nga ana tjetër, Beqja përmendi edhe deklaratën e sotme të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fullani, ku sipas tij ekonomia është në krizë. Sipas Beqes ky është një përgënjeshtrim i drejtpërdrejtë i propagandës së Kryeministrit.

“Po sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që deri më sot nuk ka ditur kurrë të përgënjeshtrojë propagandën e Kryeministrit, në një konferencë për shtyp e përgënjeshtroi Sali Berishën, duke thënë se ekonomia jonë po kalon momente kritike. Madje, për herë të parë Guvernatori Fullani pranoi se fuqia blerëse në vend ka rënë, duke vërtetuar argumentin e bërë publik prej javësh nga opozita. Gjendja të cilën po kalon Kryeministri Berisha është aq e pashpresë, sa jo vetëm propaganda nuk mund ta përmirësojë, por gënjeshtrat e njëpasnjëshme të tij po përgënjeshtrohen çdo ditë edhe nga vetë institucionet që ka vendosur nën diktat.”, vijoi Beqja.

Më tej, Beqja tha se Berisha gënjen të dhënat që deklaron, ndërsa solli edhe fakte që sipas tij vërtetojnë të kundërtën. “Sot Sali Berisha gënjeu kur tha se shitjet e biznesit në vend janë rritur me 25,6%. Le të shohim si qëndron e vërteta: Institucionet zyrtare raportojnë se konsumi i familjeve shqiptare në gjysmën e parë të vitit 2012 ka qenë më i ulëti në këto pesë vitet e fundit. Atëherë, si mund të jenë rritur shitjet e biznesit në vend, kur konsumi në Shqipëri është ulur në mënyrë drastike? Të ardhurat nga tatimi për vlerën e shtuar për gjysmën e parë të vitit 2012 janë vetëm 2,7% më të mëdha se një vit më parë, ndërkohë që inflacioni është në vlerën 1,8%. Pra, ndërkohë që rritja reale e të ardhurave në arkën e shtetit është 0,9% krahasuar me një vit më parë, si e shpjegon Kryeministri këtë rritje prej 25,6% të shitjeve të biznesit? Në kjo rritje e propaganduar nga Kryeministri do të kishte qenë reale, ku kanë përfunduar paratë? Kush i ka vjedhur? Institucionet zyrtare raportojnë se fitimet e bizneseve në vend janë ulur me 17% krahasuar me një vit më parë. Nëse fitimet janë ulur dhe në të njëjtën kohë fuqia blerëse është ulur gjithashtu, pra është blerë më pak, si e shpjegon Sali Berisha gënjeshtrën e tij?”, nënvizoi sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja.

Të njëjtat akuza, Beqja i hodhi edhe ndaj deklaratës së Kryeministrit ku thoshte se numri i të papunëve është rritur me 9 mijë vetë. Sipas Beqes “Jo vetëm që numri i të papunëve në vendin tonë është plot 1 milion, por sot, shtatë vjet pas drejtimit të qeverisë, numri i të punësuarve është po ai i vitit 2005. Pra në shtatë vjet jo vetëm është rritur papunësia, por qeveria e Sali Berishës ka dështuar të rrisë numrin e të punësuarve. Kjo shpjegohet edhe me faktin pse të ardhurat nga tatimi i pagës në vitin 2012 janë më të ulëta krahasuar me një vit më parë”.

(Gre.M/Shqiptarja.com)