Ditën e sotme Shqipëria u bë vendi i dytë në botë pas SHBA-së që shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Me 79 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga PS në të cilën thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.

Në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, e vlerësoi Rezolutën, por shtoi se mazhoranca duhet të kishte ndjekur procedurat e rregullta ligjore për miratimin e saj.

Haxhinasto deklaroi se qëllimi i mazhorancës ishte që ta votonte e vetme këtë Rezolutë, me qëllim që të merrte e vetme edhe meritat, për t’i bërë përshtypje administratës së Presidentit Donald Trump.

Ai shtoi se nëse Rezoluta do të ishte miratuar sipas procedurave, mund të kishte edhe elementë të tjerë që mund të ishin përfshirë në të dhe mund të kishte marrë edhe votat e opozitës në Parlament.

“S’kishte pse kjo të mos futej në axhendë. Kjo është një çështje respekti për Rezolutën, për qëllimin e saj të mirë dhe për substancën e saj. Nuk kishte pse kjo të mos futej në axhendë, që opozita të ishte me dije se çfarë do të bëhej. Të ishte me dije edhe një draft-rezolutë, që duhet të ishte parë më parë. Sigurisht që procedurat ju mund t’i quani të parëndësishme, por nuk janë të parëndësishme, sepse tregojnë seriozitetin që ju i jepni një veprimi qoftë të miratimit të një rezolute, qoftë mënyrës sesi palët kontribuojnë për miratimin dhe pasurimin e saj.

Mund të kishte elementë të tjerë që mund të ishin përfshirë në rezolutë. Procedura ka të bëjë edhe me respektin që mazhoranca i ka dhënë asaj. Ka dashur ta realizojë vetë, të marrë edhe meritat vetë. Por qëndrimi i opozitës është që ne e mbështesim SHBA-në, përpjekjet e saj për të vendosur paqen dhe për të goditur gjithë faktorët që sponsorizojnë terrorizmin dhe që përshtjellojnë një situatë delikate, qoftë në Lindjen e Mesme, por edhe në mbarë botën. Politika nuk është bardh e zi. Por ne duhet të mbajmë edhe një kursante mbi disa vlera themelore. Shqipëria historikisht ka qenë në mbështetje të paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha mes të tjerash Haxhinasto.

Nga ana tjetër, për analistin Ben Andoni, Shqipëria përpara se të miratonte rezolutën për shpalljen e Iranit si shtet sponsorizues i terrorizmit, duhet më parë të kishte miratuar Rezolutën për Gazën (ku sulmet izraelite kanë vrarë mbi 70 mijë persona).

Andoni tha gjithashtu se Shqipëria duhet të ishte treguar më e kujdesshme me miratimin e Rezolutës kundër Iranit, pasi sipas tij, Irani është nga të paktat shtete që e kanë ndihmuar kulturalisht vendin tonë.

Sipas Andonit, kompleksi i Shqipërisë dhe qeverive në pushtet ndaj SHBA-së është tejet i madh, gjë që ka çuar sipas tij edhe në miratimin me nxitim të kësaj Rezolute.

“Duhet kujdes me procedura për Rezoluta të tilla. Ne e dimë se ç’ka bërë Irani. Irani ka ndihmuar si pak vende kulturën tonë. Ne duhet të ishim të kujdesshëm që shumë gjëra Iranit t’ja kishim thënë me kohë dhe jo vetëm kur ata bënë ata sulmin kibernetik, që akoma nuk është i konfirmuar, por që ka indicie që u bë nga Irani. Shqipërisë i takonte kohë më parë që të bënte Rezolutën për Gazën. Opozita mungoi sepse nuk mund të jetë dekor, sidomos përballë akteve të mëdha që bën një Parlament.

Pavarësisht se e dimë se Rezoluta nuk ka ndonjë peshë të madhe. Shpreh vetëm qëndrimin për një çështje të caktuar. Me atë që kuptoj, investimi shumë i madh i Ramës ndaj Izraelit, megjithë koeficientët shumë të lartë të arritjeve dhe precizionit që kanë ata, mendos se është i tepruar. Kompleksi jonë ndaj SHBA-ve është jashtëzakonisht i madh. Ky kompleks na ka bërë të paktën të jetë i lidhur me dijen tonë të mbijetesës shtetërore. Shqipëria është produkt i zyrave ndërkombëtare”, tha mes të tjerash Andoni.