‘Shqipëria turistike’/ Llixhat e Dimalit, atraksion i ri për turizëm shëndetësor! Mjeku: Ujërat të pasur me squfur, kanë veti kurative

Tre burime natyrore me prezencë të lartë squfuri që burojnë nga Shpiragu dhe  derdhen në brigjet e Osumit japin shpresë për zhvillimin e turizmit shëndetësor në bashkinë e Dimalit. Gjatë verës frekuentohen nga banorët e zonës dhe qyteteve fqinje si Berati e Kuçova.

Dikur ky vend njihet me toponimin "Qelbësirë", na tregon 80-vjeçari Zoi Strora, ndërsa në kohën e diktaturës ka marrë emrin "Gur i Bardhë".  Vetitë kurative të ujërave termale janë të njohura që në fillim të shekullit XX-të.

"Fillimisht siç edhe im atë më ka treguar të parët kanë qenë italianët  që zbuluan burimet me veti kurative. Ata, këtë ujë e përdornin për të pirë pasi ia dinin vlerën. Unë sot jam 80 vjeç dhe që kur kam qenë i vogël jam rritur me këto ujëra dhe deri ditën e sotme vij pa ndërprerje çdo ditë sidomos gjatë verës. Siç edhe shikoni këtu vijnë shumë njerëz jo vetëm për plazh por për tu kuruar", tha ai.

Kryebashkiakja e Dimalit Juliana Memaj shprehet se po investohet për ta kthyer Gurin e Bardhë në destinacion turistik shëndetësor për pushues vendas e të huaj.

"Faza e parë ishte rehabilitimi i rrugës dhe ndërtimi i një vaske që të ishte sa më e rehatshme për qytetarët që vijën jo vetëm pushojnë por përdorin edhe vlerat kurative të këtij burimi. Ndërsa do të kemi vijimin e këtij projekti duke shfrytëzuar dhe dy burimet e tjera të ujërave termale. Qëllimi ynë është të shfrytëzohet nga turistë vendas dhe të huaj. Do vendosim kanoe në Osum, parqe, kënd lojërash për fëmijë dhe njësi shërbimi private e shtetërore", tha Juliana Mema kryetare e bashkisë Dimal.

Ndërsa mjeku Gerald Krasti tregon për efektet pozitive të ujërave termale për sëmundjet reumatizmale.

"Ujërat termal në Bashkinë Dimal pra qyteza Ura vajgurore kanë ekzistuar prej kohësh dhe nga banorët janë përdorur nga qytetarët  vendas. Ata mendojnë se kanë përmirësim për sëmundjet reumatizmale. Janë ujëra të ftohtë nuk janë si banjat e Elbasanit. Përmbajtja e ujërave është e pasur me squfur prandaj mendohet që kanë veti kurative".

E veçanta e këtyre burimeve natyrore është uji i ftohtë me prezencë squfuri që krijojnë baltë të zeze, që gjithashtu mendohet se është kurative.

SI.E./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën