Shqipëria ka përcjellë mesazhe urimi dhe vlerësimi në 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, një datë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet në historinë e shtetit fqinj dhe të shqiptarëve në rajon.

Presidenti Bajram Begaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kujtuan sakrificën e mijëra shqiptarëve të Kosovës, rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë që çuan në fundin e luftës në vitin 1999.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti Begaj theksoi se liria e Kosovës erdhi falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së UÇK-së dhe vendosmërisë së aleatëve strategjikë.

Begaj falënderoi NATO-n për ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, duke theksuar se Aleanca qëndroi në anën e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare për kombin shqiptar. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për luftëtarët e UÇK-së, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

“Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë. Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë! Mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës! Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë” shkroi kreu i shtetit.

Mesazh publikoi edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e cilësoi 12 Qershorin si një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës.

Sipas tij, kjo datë nuk përfaqëson vetëm fundin e një periudhe të errët të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik, por edhe nisjen e një kapitulli të ri të ndërtimit të shtetit demokratik dhe institucioneve të Kosovës.

“12 Qershori nuk është thjesht një datë në kalendarin e Kosovës, por një nga momentet më përcaktuese të historisë së saj moderne: fundi i një periudhe të dhimbshme dhune, represioni dhe spastrimi etnik, dhe fillimi i rrugëtimit drejt lirisë, paqes dhe ndërtimit të së ardhmes demokratike. Sot, në 27-vjetorin e Ditës së #Çlirimit, kujtojmë e nderojmë, me përulje e respekt, sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e #Kosovës dhe njëkohësisht vlerësojmë përparimin e arritur në konsolidimin e shtetit, demokracisë si dhe vendit e rolit të #Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Liria nuk është vetëm një e drejtë e fituar. Është përgjegjësi që ruhet dhe forcohet për brezat që vijnë”  shkroi Hoxha. 

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe, trupat e Aleancës Veri-Atlantike hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës. Serbia u detyrua të tërhiqte forcat e saj nga territori i Kosovës, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë të dëbuar gjatë konfliktit nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Lufta e viteve 1998-1999 la pas më shumë se 13 mijë e 500 viktima, mijëra të zhdukur dhe plagë që vijojnë të kërkojnë drejtësi edhe sot. Edhe pas gati tre dekadash, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, vazhdon të jetë i pranishëm në garantimin e sigurisë.

Në Kosovë, 27-vjetori i Çlirimit po shënohet me homazhe dhe aktivitete përkujtimore. Ceremonitë nisën në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe vijojnë në Prishtinë me nderime pranë figurave kryesore të historisë së Kosovës, ndërsa në Bibliotekën Kombëtare është hapur edhe ekspozita fotografike “KFOR and Kosova 25+”, kushtuar rolit të forcave paqeruajtëse ndër vite.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:36
'Shqipëria bëri detyrën', mesazhi i Pandeli Majkos në 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Ish-kryeministri Pandeli Majko, ka uruar Kosovën në 27-vjetorin e Çlirimit. Në një mesazh të publikuar në Facebook, Majko, i cili drejtonte qeverinë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, e cilësoi 12 Qershorin si ditën kur shqiptarët kuptuan se “e pamundura nuk është fakt, por opinion”, duke nderuar sakrificën e të rënëve për liri.

“Sot, përvjetori i çlirimit të Kosovës! Dita kur shqiptarët, falë të rënëve për liri, rikuptuan se e pamundura nuk është fakt, por opinion! Shqipëria bëri detyrën!”, shkroi ai.