Vetëm, pak ditë më parë, klubi grek i Superligës, AEL Larissa kishte njoftuar në faqen e tij zyrtare se kishte arritur marrëveshjen për transferimin e mesfushorit shqiptar, Idriz Batha. Gjithsesi, duket se gjithçka është anuluar tashmë dhe ish-kapiteni i Partizanit do të duhet të kërkojë për një tjetër skuadër ku të vijojë karrierën.

Besojeni ose jo, por shkaku kryesor i anulimit të marrëveshjes ka qenë një foto në internet e mesfushorit, që shfaqet duke bërë me duar shqiponjën dykrenore të flamurit shqiptar. 


(Foto e ish-kapitenit të Partizanit, Idriz Batha, postuar në Facebook)

Kjo sqarohet edhe në tekstin e mesazhit që drejtori sportiv i klubit grek, i ka dërguar menaxherit të futbollistit, ku e njofton për anulimin e marrëveshjes.

“Arsyeja kryesore e prishjes së kësaj marrëveshjeje është se ne kemi parë një foto të lojtarit në internet, ku bën me duar simbolin e Shqipërisë së Madhe. Kjo është diçka e papranueshme për ne sepse kemi shumë lojtarë serbë në skuadër dhe për më tepër, Shqipëria e Madhe përfshin pjesë nga Rajoni i Maqedonisë në Greqi, gjë që zhgënjen edhe fansat tanë”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e drejtorit të AEL Larissas, Vassilis Vanis.  


(SMS-ja e drejtorit të klubit drejtuar menaxherit të lojtarit)