Shqiptarët përkrah Francës:
“Dënojmë aktet terroriste”

Shqiptarët përkrah Francës:<br />“Dënojmë aktet terroriste”
TIRANE- “Lutu për Parisin”. Slogani botëror është përhapur masivisht mes qytetarëve shqiptarë dhe politikanëve të vendit për tu solidarizuar me ngjarjet e rënda në Paris. Rrjetet sociale janë pushtuar me foto nga Kulla Eifel, simbol i kryeqytetit të Francës dhe qytetarë e politikanë kanë mbivendosur mbi fotot e tyre të profilit në rrjetet sociale, ngjyrat e flamurit francez. Krerët më të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për sulmet e njëpasnjëshme terroriste që shënuan me qindra viktima, e njëherësh me tronditjen për jetët e humbura kanë shprehur edhe indinjatën ndaj akteve barbare ekstremiste.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, presidentit francez Hollande, ku veç të tjerash shprehet se dënon aktet terroriste që synojnë të trembin jo vetëm Francën, por mbarë botën. "Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike", - shkruan Nishani. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi e solidariteti kryetarëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone dhe Gerard Larcher pas masakrës në Paris.

"Shqiptarët janë shokuar nga sulmet terroriste në Paris. Jemi të gjithë përkrah jush në këto momente kritike. Shqipëria pranë Francës për të mbrojtur vlerat universale demokratike që na bashkojnë. Terroristët nuk mund të cenojnë lirinë dhe vlerat e shoqërisë franceze. Solidaritet me popullin mik francez dhe të gjithë qytetarët e Parisit. Qëndrojmë përkrah aleatëve tanë në luftën e pandalshme kundër terrorizmit", shprehet kryeparlamentari Meta. Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e padiskutueshme të Shqipërisë ndaj Francës.

Nëpërmjet një letre dërguar homologut francez Manuel Valls, Rama shprehet se shqiptarët bashkëndajnë dhimbjen e kombit francez. “Të mbrujtur nga lidhje të shumta miqësie dhe dashurie me vendin tuaj, Shqipëria dhe shqiptaret kudo që ndodhen, bashkëndajnë dhimbjen e kombit francez, syçelët dhe të vetëdijshëm për përmasat e betejës kundër terrorizmit, të cilën së bashku duhet ta çojmë përpara,” shkruan Rama në letrën e tij, ndërkohë në mbrëmje muret e kryeministrisë u mbuluan me ngjyrat e flamurit francez si në dhjetëra kryeqytete të botës.
 

“Dy shtetas kosovarë janë të plagosur”
Ambasada shqiptare në Francë konfirmon se nga informacionet që disponon nuk ka asnjë shtetas shqiptar që të jenë përfshirë mes viktimave nga sulmet terroriste, por vetëm dy shtetas kosovarë që janë të plagosur. Ambasadori shqiptar në Paris, Dritan Tola duke folur për Shqiptarja.com, bën të ditur se edhe pse nuk dihet identiteti dhe numri i vërtetë i viktimave, deri tani nuk ka asnjë informacion për përfshirjen e shqiptarëve. Edhe ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi, në një dalje për mediat lidhur me ngjarjet tragjike në Francë, mohoi të kishte shqiptarë të përfshirë. “Sa i përket pyetjes nëse ka viktima shtetas shqiptar, nuk kam informacion. Lidhur me pyetjen e dytë sa i përket implikimit të shqiptarëve gjithashtu nuk di t'ju përgjigjem," u shpreh Fitoussi. Ai nga Shqipëria kishte një mesazh për terroristët dhe urdhëruesit e tyre. “Franca do të jetë e pamëshirshme me armiqtë e saj, kriminelët. Porositësit e tyre do të përndiqen, ata tashmë kanë humbur dhe duhet ta dinë së Franca nuk terrorizohet. Vendi ynë është sulmuar edhe herë të tjerë nga armiqtë, por ata tani janë asgjësuar janë zhdukur por Franca është sërish në këmbë” tha ai. Ambasadori falënderoi autoritet shqiptare për përkrahjen e ofruar pas kësaj tragjedie dhe shtoi se të hënën në orën 18.00 së bashku me ambasadorin gjerman do të mbajë 1 minutë heshtje në sheshin “Skënderbej”.
 
Shkodër
Famullia e Shën Shtjefnit në Shkodër i ka kushtuar një meshë të shenjtë viktimave të sulmit terrorist në Francë. Dom Artur Jaku e quajti një të premte të zezë ngjarjen e ndodhur në Paris.
 
Tek ambasada
Dera e ambasadës franceze në vendin tonë është "pushtuar" nga buqeta me lule. Një buqetë e madhe me lule mban mbishkrimin "Ngushëllime popullit francez". Qytetarët e thjeshtë sensibilizohen.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Karuseli përfshihet nga flakët gjatë një festivali, 20 të plagosur

Gjermani/ Karuseli përfshihet nga flakët gjatë një festivali, 20 të plagosur