Fluks i lartë hyrjesh është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, ku për shkak të numrit të madh të automjeteve u krijuan radhë në hyrje të Shqipërisë. Lëvizja e shtuar lidhet me fundjavën dhe sezonin turistik, ndërsa mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar dhe zonat turistike të vendit për të kaluar pushimet. Për të përballuar fluksin, autoritetet në Pikën Kufitare të Morinës kanë vënë në funksion të gjitha sportelet e kontrollit.
Ndërkohë, trafiku dret drejt kësaj pike është krijuar edhe pasi në Vërmicë, afër Prizrenit, janë shënuar dy aksidente të njëpasnjëshme, në të cilat janë përfshirë gjithsej gjashtë automjete. Si pasojë e aksidentit shtatë persona kanë pësuar lëndime.
Për automjetet me targa të Kosovës po zbatohet procedura e kalimit pa kontrolle të detajuara, në bazë të marrëveshjeve në fuqi, ndërsa për automjetet me targa të huaja po aplikohen procedura të përshpejtuara, me qëllim shmangien e vonesave dhe lehtësimin e qarkullimit.Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, vetëm në intervalin kohor nga ora 05:00 deri në orën 09:00, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë kanë hyrë në territorin shqiptar 11,725 shtetas nga Kosova, me 2,740 automjete.
Komente






