Shpikje nga halli. Policia italiane e Barit është përballuar me një situatë të pazakontë, duke mbetur e çuditur kur në bagazhin e automjetit të dy shqiptarëve nga Kosova, ka gjetur trupin e pajetë të një të afërmit të tyre.

Makina me trupin e pajetë u ndalua në portin e Barit ndërsa po imbarkohej në tragetin e linjës së Shqipërisë me destinacion final Kosovën. Shqiptarët janë pyetur nëse kanë gjë për të deklaruar dhe ata janë shprehur 'Po kemi një të vdekur'. Kjo që i ka habitur efektivët e Barit që kontrolluan makinën dhe në bagazhin e saj konstatuan trupin e pajetë, që ishte mbështjellë me një çarçaf në një kuti.

Dy shqiptarët nga Kosova po përpiqeshin ta transportonin të afërmin e tyre në vendin e origjinës, ku edhe do të varrosej. I afërmi i tyre kishte gjetur vdekjen në Angli për shkaqe natyrale, gjë që u konfirmua edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Trupi ishte mbështjellë me një çarçaf dhe futur brenda një kutie në bagazhin e makinës Skoda Station Wagon ishte nisur nga Anglia, në Francë dhe më pas në Itali, por kaloi tre pika kufitare dhe u zbulua vetëm në portin e Barit.

E gjitha kjo mendohet të jetë bërë për të shmangur procedurat doganore, të cilat në të tilla raste kushtojnë mijëra euro, por dy shqiptarët nga Kosova kanë deklaruar madje se sipas traditës së tyre e kishin të ndaluar ta fusnin trupin në arkivol, prandaj e mbështollën dhe e futën në një kuti provizore gjatë transportit.