Shqiptarët paguajnë 130 mln euro për largimet e padrejta nga puna në shtet

Shqiptarët paguajnë 130 mln euro për largimet e padrejta nga puna në shtet

Foto ilustruese

Shpenzimet për dhënien e dëmshpërblimeve për të larguarit nga puna për periudhën 2015 deri në 2023, arrijnë në vlerën e 13 mld lekëve, apo rreth 130 mln euro nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për Monitor, për vitin 2023 janë shpenzuar në total si nga administrata qendrore dhe vendore 975,8 milionë lekë, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për largim nga puna.

Pra bëhet fjalë për punonjës të qeverisjes qendrore dhe vendore, të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna, por pas vendimeve të formës së prerë të gjykatës kanë përfituar dëmshpërblimin.

Për 2022 u shpenzuan 1,4 mld lekë për dhënien e dëmshpërblimit për të larguarit nga puna. Vlera më e madhe e dhënies së dëmshpërblimit ishte për të larguarit nga puna në administratën qendrore, përkatësisht në vlerën e 1 mld lekëve.

Ndërsa për të larguarit nga puna në pushtetin vendor u paguan 324,6 mln lekë.

Në totalin e shpenzimeve për vendimet gjyqësore të formës së prerë, pagesat me të larta janë kryer nga qeverisja qendrore. Totali i faturës së paguar për largimet nga puna prej administratës qendrore për vitet 2015-2022, llogaritej në 9,9 miliardë lekë.

Fatura e paguar nga pushteti vendor për të njëjtën periudhë ishte 2,2 miliardë lekë. Nga bashkitë pagesat më të larta për dëmshpërblimet e të larguarve nga puna ishin në vitin 2016 në vlerën e 315,5 milionë lekë dhe kanë kulmuar në 2022, para vitit zgjedhor në vlerën e 324,6 milionë lekë.

Po ashtu në harkun e 9 viteve, përkatësisht në vitet 2015-2023 fatura më e lartë e paguar për të larguarit nga puna, të cilët kanë fituar çështjet gjyqësore, ishte në vitin 2017, në vlerën e 1,8 mld lekëve.

Sakaq, fatura e shpenzimeve të buxhetit të shtetit, si pasojë e ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe përfitimit të dëmshpërblimit financiar nga të larguarit, pritet të ndryshojë, pasi një numër i lartë dosjesh të mbetura stok pritet të shqyrtohen.

Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë Gjyqësor, deri në muajin Shtator 2023 stoku i dosjeve të prapambetura në Gjykatën Administrative të Apelit arriti në 23,104 çështje. Nga totali i stokut 13% e tyre ishin dosje për marrëdhënie pune.

Sipas avokatëve afatet e arsyeshme për gjykimin e çështjeve në Gjykatën e Apelit Administrativ janë 3 vite. Po ashtu sipas avokatëve shumë çështje për shqyrtimin e të larguarve nga puna po rrëzohen nga Gjykata e Lartë, me argumentin se nuk përmbajnë shkaqe për rekurs.

Si rrjedhojë të larguarit nga puna po i drejtohen për shqyrtim të dosjeve të tyre Gjykatës Kushtetuese.

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu në raportin vjetor 2023 ngre shqetësimin se në shoqëritë e audituara, vijon të konstatohen raste të pagesave të konsiderueshme për shkak të humbjeve të proceseve gjyqësore, si rrjedhojë e largimeve të padrejta nga puna, konkretisht në të paktën 5 subjekte: Albpetrol sh.a., OSHEE sh.a., KESH sh.a., Posta Shqiptare sh.a., UKT sh.a. etj.

“Pavarësisht rekomandimeve të herëpashershme të dhëna nga KLSH, shoqëritë publike vijojnë me dhënien e shpërblimeve në kundërshtim me kuadrin ligjor e rregullator, konkretisht pa miratimin e tyre në organet eprore dhe/ose në kushtet kur vetë shoqëria ka qenë me rezultat financiar negativ”, citohet në raport. /Monitor/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja