Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, ngriti sot shqetësimin për sigurinë ushqimore në vend, duke deklaruar se gjatë sezonit veror qytetarët përballen me produkte pa standarde dhe me mungesë kontrollesh në treg. Sipas saj, temperaturat e larta rrisin rrezikun e helmimeve ushqimore, ndërsa institucionet nuk po garantojnë mbrojtjen e konsumatorëve.
Në një komunikatë për mediat, Bajrami kërkoi kontrolle të menjëhershme dhe transparente në të gjitha subjektet ushqimore, standarde më të rrepta për produktet e importuara, mbështetje financiare për fermerët dhe politika mbrojtëse për produktet “Made in Albania”. Ajo tha se fermerët shqiptarë po përballen me mungesë subvencionesh, kosto të larta dhe konkurrencë nga importet, duke paralajmëruar se bujqësia shqiptare po shkon drejt falimentimit nëse nuk merren masa emergjente.
Deklarata e plotë për mediat
"Rritja e temperaturave gjatë sezonit veror nxjerr edhe një herë në pah një nga problemet më të rënda që prek çdo familje shqiptare: mungesën e sigurisë ushqimore dhe dështimin total të institucioneve për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Sot tregjet, supermarketet dhe subjektet e tregtimit të produkteve ushqimore funksionojnë shpesh pa kontroll real, ndërsa qytetarëve u serviren produkte pa standard, pa garanci dhe në shumë raste të rrezikshme për konsum. Në vend që shteti të jetë në terren për të garantuar sigurinë e ushqimit, institucionet janë kthyer në zyra propagande që kujtohen të dalin vetëm për kamera.
Në kulmin e temperaturave të larta, kur rreziku nga helmimet ushqimore shumëfishohet, shqiptarët përballen çdo ditë me mish të pasigurt, bulmet pa kontroll, fruta e perime të trajtuara pa standard dhe produkte të ruajtura në kushte skandaloze. Ndërkohë askush nuk mban përgjegjësi. Por kriza nuk ndalet vetëm tek siguria ushqimore. Sot po shkatërrohet me vetëdije prodhimi vendas dhe po braktiset fermeri shqiptar. Produktet “Made in Albania” janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa fermerët që punojnë me djersë dhe sakrificë po falimentojnë dita-ditës nga mungesa e subvencioneve, mungesa e tregut dhe kostot e papërballueshme të prodhimit.
Shqipëria po mbytet nga mallrat e importit, shumë prej të cilave hyjnë pa kontroll cilësor dhe shiten më lirë se prodhimi vendas, duke goditur drejtpërdrejt fermerët dhe ekonominë kombëtare. Sot fermeri shqiptar nuk konkurron në treg; ai po lufton për mbijetesë përballë një qeverie që e ka braktisur plotësisht.
Është tragjike që vendi ynë, me potencial të jashtëzakonshëm në bujqësi dhe blegtori, po kthehet në një treg konsumator të varur nga importet, ndërsa tokat mbeten djerrë dhe fshatrat boshatisen çdo ditë. Kjo është pasojë direkte e politikave të dështuara, korrupsionit dhe mungesës së vizionit për ekonominë dhe sigurinë ushqimore të vendit. Kjo qeveri ka dështuar të garantojë një nga të drejtat më bazike të qytetarëve: ushqim të sigurt dhe mbështetje për prodhimin vendas. Kur shteti nuk mbron fermerin shqiptar, ai po godet ekonominë, shëndetin dhe të ardhmen e vendit.
Kërkojmë: Kontrolle të menjëhershme dhe transparente në të gjitha subjektet ushqimore. Standarde të rrepta sigurie për produktet që importohen dhe tregtohen në Shqipëri. Mbështetje reale financiare për fermerët dhe prodhuesit vendas. Politika mbrojtëse për produktet “Made in Albania”. Masa emergjente për të ndalur falimentimin e bujqësisë shqiptare. Partia e Lirisë ka një program mëse të realizueshëm, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku fokus të veçantë ka bujqësia, si dhe shndërrimi i Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese. Shqiptarët meritojnë ushqim të sigurt, prodhim vendas të mbrojtur dhe institucione që punojnë për interesin publik, jo për propagandë dhe interesa klienteliste" deklaroi ajo
Komente










