TIRANE – “Edhe klasifikimet, në fund të fundit, janë një lojë. Një herë je në krye, pastaj zbret e më pas ringrihesh”. Kështu e ngushëllojnë veten italianët. Ose të paktën Massimo Bottura, chef me tre yje i “Osteria Francescana” në Modena. Tashmë në krye të klasifikimit ndërkombëtar për të tretën herë radhazi qëndron shqiptari Rene Rexhepi i “Noma” të Kopenhagenit.

Dje në Londër u zhvillua edicioni i vitit 2012 i San Pellegrino World’s Best Restaurant ku garonin 50 restorantet më të mira të botës të gjykuara nga 837 ekspertë të një jurie ndërkombëtare. E cila për të tretën herë rradhasi i dha vendin e parë chef-it me origjinë shqiptare Rene Rexhepi. Rene babain e ka shqiptar nga Maqedonia, kurse nënën daneze.

Kuzhina e tij – shkruajnë mediat italiane – është me bazë algash dhe perimesh të Veriut të ftohtë. Kohët e fundit, edhe revista Time e ka vendosur në kopertinat e saj të famshme. Dikush rikujton se ai, në fitoren e tij të parë planetare, kishte deklaruar: “Në dy ditë më erdhën email-e për 100 mijë prenotime. Duke llogaritur numrat e karrigeve, puna është e siguruar për 15 vjet”. Ndoshta klasifikimet janë vërtetë një lojë, por praktikisht arrijnë të vendosin të ardhmen e një restoranti, si dhe atë të personelit të tij.

Italia, dikur mbretëresha e gatimit, e ka parë veten me prezenca të përgjysmuara: nga 6 në 3. Franca dhe Spanja ruajnë të njëjtat numra si në edicionet e mëparshme me respektivisht 7 dhe 5 prezenca ndër 50 më të mirët. SHBA ka 8 restorante në klasifikim ndërsa rritet Azia me 6 emra.

Italianët përpiqen ta marrin me filozofi humbjen. “Italia është në krye të potencialitetit gastronomik”, thotë Bottura. Por problemi është se secili prej kuzhinierëve mendon për vete: “Vendi ynë nuk arrin, ndryshe nga të tjerët, që të krijojë një sistem. Kjo është karta fituese. Që të të votojnë, të hysh në klasifikime, nevojitet të shkosh nëpër botë, të të njohin. Nëse nuk ka kurajo për të investuar – dhe e kam fjalën për institucionet – mbetesh në rresht të dytë. Dëshirojmë të kthehemi te pizza dhe mandolina”? ...hmmm, jo, nuk duket se e kanë marrë mirë!

(im/shqiptarja.com)