Pas protestës së 18 majit në Shkup një tjetër do të mbahet sot në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentët do të marshojnë nga sheshi Skënderbej drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Para 4 ditësh gjatë një interviste për Report Tv dy studentë nga Fakulteti i Drejtësisë deklaruan se pritet pjesëmarrje studentësh nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ata paralajmëruan se kjo protestë nuk do të jetë e fundit, dhe se do të vijojnë deri në adresimin e kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Studentët shqiptarë në Maqedoni prej kohësh po protestojnë masivisht duke kërkuar realizimin e të drejtës së tyre natyrore e kushtetuese: Realizimin e provimeve në gjuhën shqipe.
Çështja e gjuhës shqipe ka qenë historikisht një nga temat më të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut. Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja e Ohrit solli ndryshime kushtetuese që garantuan përdorimin e gjuhëve të komuniteteve.
Më pas, ligji për gjuhët i miratuar në vitin 2018 dhe i zbatuar nga viti 2019, e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare në institucionet qendrore dhe në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë.
Komente









