Shqipëria ka zhvilluar garën e parë në Lojërat Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Korenë e Jugut.

Skiatorja Suela Mëhilli ka garuar sot në sllallomin gjigant për femra, pasi më në fund kushtet atmosferike lejuan zhvillimin e garës, që ishte shtyrë për tri ditë radhazi.

Rezultati i Mëhillit ishte shumë larg për të pretenduar për një pozicionim të mirë. Mëhilli mbylli zbritjen e parë në vendin e 60-të mes 81 garueseve, rreth 14 sekonda larg italianes Moelg, që dhuroi kohën më të shpejtë në këtë raund.
Në zbritjen e dytë, sportistja shqiptare përmirësoi kohën personale. Por sigurisht edhe kjo kohë ishte shumë larg atyre që cilësohen pretendente, duke bërë që Mëhilli të mbyllte garën në vendin e 53-të në renditjen e përgjithshme. Amerikania Shifrin fitoi medaljen e artë. Më 18 shkurt do të garojë skiatori Erjon Tola.

e.gj/Shqiptarja.com