Përmes kryediplomatit Ferit Hoxha, Shqipëria ka dënuar me forcë pamjet e publikuara nga ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, ku shfaqen aktivistët e flotiljes humanitare “Sumud”, duke e cilësuar trajtimin e aktivistëve si poshtërues dhe të papranueshëm.
Në një postim në rrjete sociale, Hoxha reagon me indinjatë ndaj pamjeve ku shfaqen të paktën 430 aktivistë të lidhur e të gjunjëzuar që po mbahen nga forcat izraelite të sigurisë, mes të cilëve është edhe aktivisti Baki Gonxhaj.
"Imazhet e publikuara nga Ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme. Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar” thotë Hoxhaj në reagimin e tij.
Duke iu bashkuar në reagim shumë zyrtarë të lartë nga e gjithë bota që dënuan pamjet e shpërndara , ku dukeshin keqtrajtimet dhe talljet e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve, përfshirë edhe nga vetë ministri Gvir, Hoxhaj dha detaje nga përpjekjet e Shqipërisë për të ndihmuar aktivistin shqiptar
"Kam udhëzuar Ambasadën tonë në Tel Aviv që të mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite në mënyrë që të sigurohet që qytetarit tonë t'i ofrohet ndihma e duhur konsullore, sipas nevojës dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar" thuhet në reagimin e Hoxhës.
Flotilja Sumud ishte në një mision për të dërguar ndihma humanitare në Gaza duke sfiduar bllokadën detare të Izraelit e vendosur që prej vitit 2007. Rreth 54 anije dhe qindra aktivistë nga mbi 40 vende të botës përfshirë edhe shqiptari Baki Goxhaj ishin pjesë e këtij misoni,
Turqia, Spanja, Irlanda dhe Italia kanë kërkuar lirimin e qytetarëve të tyre ndërsa presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i quajti “udhëtarë të shpresës” dhe dënoi ndërhyrjen izraelite kundër tyre.
Nga ana tjetër, Izraeli vazhdon të këmbëngulë se flotilja e anijeve është “një provokim pa qëllim tjetër” dhe përsërit se bllokada detare ndaj Gazës, e vendosur që prej vitit 2007, është e nevojshme për të penguar Hamasin të armatoset.
Për këtë arsye, edhe Bordi i Paqes, korganizmi ndërkombëtar i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara që mbikëqyr armëpushimin dhe ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova, njoftoi se do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shtojë presionin ndaj Hamasit që të pranojë çarmatimin, i konsideruar si pengesa kryesore për zbatimin e plotë të armëpushimit në rajon. Hamasi e hodhi poshtë planin duke e quajtur “të rremë” dhe duke akuzuar Izraelin se vazhdon të shkelë marrëveshjet.
Komente








