Shshshshttt… Flet Fullani!

Shshshshttt… Flet Fullani!
Dje, para se të rikonfirmohej nga kryeministri Berisha, Guvernatori i Bankes së Shqipërisë, Fullani: "Kriza ndërkombëtare nuk e preku Shqipërinë. Ekonomia jonë është solide!"
Sot, para se të rikonfirmohet nga Kryeministri Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani: "Modeli i qeverisjes Berisha dështoi!"
Eh, sa mirë sikur Fullani, të ishte i aftë si bankier, sa gjysma e aftësisë që ka për të lëpirë...karrigen e pushtetit!

Tërhiq e mos e këput!
Daljet publike të Fullanit është vështirë t’i dallosh nga njëra- tjetra (nëse nuk është për shaminë që ndërron në xhepin e xhaketës)- thote monotonisht të njëjtat gjëra:
-importe që bien, eksporte që rriten
-rritje ekonomie nën potenciale për shkak të kërkesës së plogësht
-investime të ulëta dhe konsum i ulët për shkak të pasigurisë

Por, këto të vërteta të thëna me gjysëm zëri dhe në mënyrën më monotone të mundshme për të zbehur forcën përgënjeshtruese, që në fakt duhet të kishin ndaj versionit ”shkëlqim ekonomik i vendit të 4-t në botë” të Berishës, mbuloheshin me një vel të bardhë: rritje pozitive e ekonomisë, ndonëse nën kapacitet për shkak të “krizës së eurozonës”. Pra, për shkak të “armikut të jashtëm” vetëm. Ah ky “armiku i jashtëm” që s’na u nda gjithë jetën!

Pas çdo vendimi për ulje të normës bazë, Fullani thotë “e bëjmë për të rritur investimet”. Por, gjashtë muaj më vonë, po njësoj reciton pikat me sipër. Pra? S’ka rritje investimesh, s’ka progres… Ah po, ka monotoni sa të duash!
Guvernator, apo thjesht vëzhgues?

Çfarë mbahet mend: një ulje e njëpasnjëshme e normës bazë të interesit, duke arritur nivelet më të ulëta. Arsyeja e publikuar (recituar)? Nxitja dhe stimulimi i kredive dhe si rrjedhojë stimulimi i rritjes ekonomike. Po kjo është një kambanë që bie dhe nuk e dëgjon njeri. Sepse pas çdo ulje të tille, kurrë nuk u provua efekti mbi nivelin e kredisë apo stimulimin e kërkesës. Përkundrazi, vazhdoi historia natyrale negative e të dy këtyre hallkave.

Nëse ky mekanizëm u provua disa herë që nuk funksionon, sepse ndjeshmëria e të dy këtyre hallkave është pothuaj zero ndaj kësaj norme, lind pyetja: pse lodhet Fullani duke e përdorur këtë instrument të “gjoja politikës monetare”. Përgjigja sipas meje është e thjeshtë: t’ja bëjë më të lirë borxhin qeverisë. Veçse, po jep shenja të qarta dashurie të njëjtë edhe për qeverinë që po vjen. Kësaj i thonë: paanësi, ose dashuri simetrike, ose dashuri e barazafruar, ose….

Pikërisht ajo!
“Një normë inflacioni nën kontroll” ! E kur ka qenë ndryshe? Nuk mbahet mend ndryshe. A thua vërtet politike e suksesshme e Fullanit, apo thjesht varësi e çmimeve nga importet dhe ndaj monedhave të huaja?

Populli pyet: Na u thuaj shkoqur o guvernator: po ecën ekonomia apo ka ngecur? Po e mban mirë timonin qeveria apo nuk ka timon fare? Po guvernatori nuk të ndihmon, ai thotë gjeje përgjigjen vet. Thua punon si vezhgues zgjedhjesh i OSBE-së…
Full-hoby i Fullanit

Çfarë mbahet mend tjetër? Dashuria e tij e madhe për…volejbollin. Epo njeri është, do ketë edhe hoby… Fullani (Banka e Shqiperisë) sponsorizon ekipin kombëtar të volejbollit ? Ah, epo ja një gjë e mirë! Jo?!
200 000 $ për ekipin amator të punonjëseve të bankës?!

Një skuadër volejbolli e supersponsorizuar, që luan kushedi ku dhe kushedi kur. Edhe kombëtarja e volejbollit femra do t’i kishte zili! Madje jo vetëm e Shqipërisë! Epo aristrokati Fullani e meriton të ketë një han privat, ku brenda hahet, pihet, luhet e dëfrehet…ndërsa jashtë të mbyt varferia !

Tek e fundit, është një guvernator që na e ka zili gjithe bota! Një guvernator kaq të pazëvendësueshem (jo vetëm për femrat e volejbollit të bankëes) kaq brilant në rrethet shkencore (s’mund të jetë ndryshe), kaq bindës në argumente (opsss) sa që e lutem për dy mandate si askënd tjetër më parë.
Mos o Zot mos të kishte pranuar të ri-rikonfirmohej!

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet