Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë tashmë një staf të ri drejtues, pas emërimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Bajram Begaj.

Në një takim me drejtuesit e rinj të Shtabit të Përgjithshëm të FA,-së ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka foli për vizionin e një FA moderne, të ndërtuar mbi meritokracinë e profesionalizmin për t’i dhënë standartet që i takon një vendi anëtar të NATO-s.

Sipas ministres Xhaçka, FA sot operon me dinjitet e standarde krah për krah ushtrive më të fuqishme në botë në misione nga Afganistani e deri në Mali.

Reformimi i emergjencave civile, modernizimi përmes investimeve në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit me aleatët e partnerët, arsimimi dhe trajnimi financiar i FA janë renditur nga ministrja e Mbrojtjes si disa prej fushave ku janë shënuar hapa të rëndësishëm e me rezultate pozitive e me impakt të drejtpërdrejtë në atë që Forcat e Armatosura janë sot.

 “Ia kemi dalë të rrisim trajtimin financiar dhe të rikthejmë kompensimin e ushqimit për 4000 efektivë të FA. Çka padyshim nuk mjafton, por është një hap i parë rëndësishëm drejt një trajtimi më dinjitoz e më vlerësues të kujtdo që shërben në FA”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.

Ajo kërkoi nga stafi i ri bashkëpunim dhe përkushtim për të rritur profesionalizmin në radhët e FA, që shumë shpejt do të hapë dyert për herë të parë për të gjithë ata të rinj që duan të ndjekin studimet për shkenca ushtarake.