Shtatorja për I.Qemalin
dështim i skulpturës shqiptare

Shtatorja për I.Qemalin<br />dështim i skulpturës shqiptare
Skulptorët më të njohur shqiptarë janw kundër vendimit që statuja e Ismail Qemalit e realizuar nga Odhise Paskali në vitin 1981, të vendoset në lulishten pranë Kuvendit. Sipas tyre, kjo statujë e konceptuar që në fillim nga skulptori i njohur për në interier (ambient i mbyllur) nuk mund të qëndrojë në një mjedis të hapur publik e as të konsiderohet si shtatore monumentale. Skulptori Muntaz Dhrami i pyetur nga “Shqiptarja.com” e ka cilësuar si një veprim absurd. Ai thotë se “Vetë Odise Paskali nuk do ta pranonte kurrë këtë veprim. Ai është një skulptor nga më të mirët. Nëse zhvendosim një vepër të bërë për mjedisin e muzeut në një shesh të hapur dhe ta prezantojmë si shtatore do të jetë kundër ligjeve estetike të artit”. Ndërsa skulptori Ilmi Kasëmi është shprehur se “Ngatërresa e Paskalit post -mortum në këtë histori, është ogur jo i mirë për artistët e gjallë”. Edhe skulptori Pjerin Kolnikaj që ka dhënë dorëheqjen nga ky konkurs, duke refuzuar të prezantojë një variant të dytë, nuk pajtohet me mendimin që varianti fitues i dalë nga ky konkurs (i skulptorit Veli Blakçori) të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar. “Nuk mund të diskutojmë për vlerat artistike që përcjell statuja e Odhise Paskalit, por pas shumë vitesh është e nevojshme të jetë një skulptor tjetër që të sjellë konceptimin e tij mbi këtë figurë”, shprehet Kolnikaj. As skulptori Thoma Thomai nuk është dakord me idenë që vepra e realizuar nga Paskali të vendoset në lulishten e cila u mendua për veprën që do të dilte nga konkursi i realizuar për këtë 100-vjetor, por nuk dëshiron t’i komentojë këto vendime. Pavarësisht mendimit të artistëve më të njohur, Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë e ka marrë tashmë vendimin që statuja e Ismail Qemalit e Odhise Paskalit që ndodhej në pavijonin e pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar do të vendoset në lulishten që kufizohet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rruga “Ismail Qemali”, ndërsa varianti fitues i skulptorit nga Kosova Veli Blakçori do “të mbyllet” në Muzeun Kombëtar. Në valën e këtyre debateve drejtori i GKA-së Rubens Shima na jep variantin e tij se pse nuk u bë dot një shtatore e Ismail Qemalit. Mungesën e një boceti dinjitoz për Ismail Qemalin në konkursin e zhvilluar nga GKA, ai e konsideron si “një dështim të madh artistik të skulpturës shqiptare dhe autorëve në këto vite”.


Zoti Shima, si është e mundur që nga konkursi i GKA-së nuk u realizua dot një bocet për shtatoren e Ismail Qemalit?
-Problematika është e tillë. Deri në këtë ditë vazhdoi konkursi, por nuk doli me rezultatin e kërkuar. Kështu në mbledhjen e Komitetit të festimeve u paraqitën dy versione, vepra e Paskalit që ishte në Muzeun Historik, e cila artistikisht i ka rezistuar kohës dhe është një nga më të mirat për Ismail Qemalin dhe vepra më e mirë që mundi të nxirrej nga konkursi për bocelin e Ismail Qemalit. Të dyja këto mundësi komisioni i paraqiti. Komisioni paraqiti me debat dhe votë Blakçorin dhe meqë skulptura ishte për një kënd intim e shpalli si fitues, por për ta vendosur në muze, ndërsa ajo e muzeut mund të qëndrojë në shesh.

Intervistova një mendim që m’u duk shumë sipërfaqësor për bocetin fitues nga njëri prej anëtarëve të Komisionit: “Ismail Qemali dukej sikur do të pushonte”. Argument është ky?
-Komiteti vendos nëse figurën e Ismail Qemalit e do ta ketë ulur apo në këmbë.

Po e drejta e autorit?
-Kam përshtypjen se në rastin e Paskalit nuk kemi të bëjmë me problemin e të drejtës, nuk po bëjmë një riprodhim. Është pronë e Muzeut, e koleksionit dhe mendohet se duke e ekspozuar plotëson këto nevoja në sheshin që i caktohet.

Artistët kanë reaguar njëzëri për mospërshtatjen e veprës me destinimin?
-Nuk mendoj se janë grup, janë individë. Paskali e ka bërë veprën, i ka rezistuar kohës për 40 vjet. Është një vepër e mirë, të cilën e ka vlerësuar një komision i 1981. Ky ishte një komision i qeverisë shqiptare, që vendosi për një shtatore të Ismail Qemalit. Paskali e ka trajtuar me një qëndrim realist me një portret të qartë në karakter. Kjo na plotëson tiparet për të pasur një shtatore zyrtare dhe korrekte. Pra ne shohim Ismail Qemalin, dhe jo ndonjë artsit dhe as ndonjë shokun e tyre në vend të tij Por, sa u takon komenteve të artistëve nuk dua t’i hyj këtij debati.

Pse?
- Artistëve iu la kohë për të sjellë koncepte dhe bocetet e tyre për një shtatore dhe ne si juri do të ishim të lumtur që të kishim vepra të reja dhe madje le ta tejkalonim këtë shtatore të Paskalit.

Paaftësia e skulptorëve është arsyeja e dështimit të konkursit?!
-Që nga ky konkurs nuk doli dot askush me rezultatin e një shtatoreje për Ismail Qemalin, dihet që është një dështim artistik i skulpturës shqiptare të këtyre viteve. Ne kemi një problematik të atillë sot me konkurset sa as në sistemin komunist nuk ka ekzistuar. Kur artisti paraqiste një skulpturë nuk i diskutohej gjëja më elementare, ngjashmëria me personazhin, portreti i karakterit, kjo ishte A-ja. Në një porosi zyrtare, ne ju kërkojmë atyre Ismail Qemalin dhe ata na sjellin një fytyrë të një burri të panjohur. Kjo nuk është serioze në aspektin profesional. Nuk e njohën kohën dhe personazhin, nuk bënë konsultimin me historianë, por së paku të jetë Ismail Qemali dhe jo Abdyl Frashëri. E kthyem konkursin tre herë, pse e nuk e bënë?!

Po fituesi me Ismail Qemalin ulur sa vlerë kishte?
-Konkursi nuk dha dot më të mirën, por ai konkurs dha një version tjetër. Boceti i Veli Bllakçorit pavarësisht nëse nuk ishte ai i duhuri për t’u vendosur në shesh, se u gjykua nga komiteti si një figurë duke u shplodhur, e humbi këtë destinacion ndoshta se Komiteti gjykoi në bazë të asaj se skulptura shqiptare me gjithë historinë e saj e ka të vështirë ta pranojë figurën një personaliteti ulur. Kjo ndoshta është një traditë nga realizmi socialist. Vepra e Veli Bllakçorit është shumë e mirë dhe do ta zëvendësojë Paskalin në muze, por nga pikënisja ajo do të reduktohet në vëllimin që t’i përshtatet hapësirës së Muzeut.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat