Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të takohet më 25 nëntor, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rezidencën Mar-a-Lago, në Florida. Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas njoftimit të NATO-s, Mark Rutte do të qëndrojë në Florida nga 24 deri më 25 nëntor, ku përveç takimit me presidentin amerikan, do të zhvillojë edhe takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi Trump zhvilloi javën e kaluar takime në Azi me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin kinez, Xi Jinping.
Sipas mediave të huaja, takimi mes Trumpit dhe Rutte-s zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë janë shoqëruar me diskutime dhe mospajtime lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, angazhimet brenda NATO-s dhe qëndrimin ndaj Rusisë.
Një tjetër çështje e rëndësishme në këtë kontekst mbetet lufta në Ukrainë dhe përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do t'i jepte fund konfliktit. Vendet evropiane kanë kërkuar që të kenë rol më të madh në negociatat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka insistuar që Evropa të jetë pjesë e procesit të bisedimeve.
Nga ana tjetër, Mark Rutte ka synuar vazhdimisht të ruajë bashkëpunimin transatlantik dhe mbështetjen amerikane për Aleancën. Në këtë kuadër, takimi me Trumpin shihet si një tjetër moment i rëndësishëm për koordinimin mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Sipas Reuters, Trump ka kritikuar në vazhdimësi aleatët perëndimorë për kontributet e tyre në mbrojtjen kolektive, ndërsa çështja e garancive të sigurisë për Ukrainën mbetet gjithashtu pjesë e diskutimeve ndërkombëtare.
NATO ka bërë të ditur se gjatë vizitës së Mark Rutte-s nuk do të ketë mundësi për deklarata apo dalje publike për mediat. Fotografitë nga takimet do të publikohen në faqen zyrtare të Aleancës.






Komente
Komento