Festa për 80-vjetorin e Donald Trump-it më 14 qershor pritet të hyjë në histori si një nga festimet më të veçanta presidenciale, ashtu si 45-vjetori i John F. Kennedy-t në vitin 1962, kur Marilyn Monroe këndoi “Happy Birthday Mr. President” në Madison Square Garden, apo 52-vjetori i Franklin D. Roosevelt-it, i veshur si Jul Cezari.

Trump, ka ngritur një arenë me 4.300 vende, dominuar nga një strukturë 27 metra e lartë e quajtur “The Claë” (Kthetra), në anën jugore të Shtëpisë së Bardhë. Punëtorët po përfundojnë projektin me vlerë 60 milionë dollarë, i financuar nga UFC (Ultimate Fighting Championship), organizata e arteve marciale të përziera.

Në qendër të “Kthetrës” ndodhet një ring tetëkëndësh ku do të garojnë sportistët. Trump ka lënë të kuptohet se mund ta bëjë strukturën të përhershme, duke e krahasuar me Kullën Eiffel.

Ngjarja është gjithashtu pjesë e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë amerikane. Për më tepër, 14 qershori është edhe Dita e Flamurit (Flag Day), që shënon miratimin e flamurit amerikan me yje dhe shirita në vitin 1777.

'Trump Organization' është akuzuar se po përfiton financiarisht nga shitja e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi me portretin e presidentit, të cilat kushtojnë nga 250 deri në 12.000 dollarë. Në këtë ndërthurje mes festimit personal dhe atij kombëtar, monedhat mbajnë mbishkrimet “250” dhe “We the People” (“Ne, Populli”), frazë e marrë nga preambula e Kushtetutës amerikane.

Trump është akuzuar gjithashtu se po përpiqet të përfitojë nga investimet në aksionet e UFC-së, por Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se portofoli i tij i aksioneve administrohet nga një agjent i pavarur.

Në ditën e ditëlindjes së tij priten protesta “No Kings” në mbarë vendin. Niveli i miratimit të Trump-it ka rënë në 37%, ndërsa në çështjet ekonomike në 29%, sipas sondazhit Economist/YouGov. Për krahasim, Biden nuk ra kurrë nën 39% në të njëjtin sondazh. Megjithatë, mes votuesve republikanë Trump vazhdon të gëzojë mbështetje prej 75–80%.

Për ditëlindjen e tij, Trump ka deklaruar se dëshiron “paqe në botë”, ndërsa këto ditë vëmendja e tij është përqendruar te Irani.

Një sondazh i Reuters/Ipsos zbuloi se vetëm 16% e amerikanëve mendojnë se është e përshtatshme që Trump të organizojë aktivitetin e UFC-së për 80-vjetorin e tij, ndërsa 46% e konsiderojnë të papërshtatshëm. Pjesa tjetër nuk dha mendim.