Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre ka pohuar se videot e fundit që tregojnë presidentin amerikan Joe Biden  të ‘ngrirë’ në ngjarjet publike janë manipuluar, ndaj dhe i përshkroi ato si "falsifikime".

Reagimi i Jean-Pierre vjen pas disa videosh virale të Biden-it në mediat sociale javët e fundit. Në njërën prej tyre, presidenti u pa të kishte vështirësi të ulet gjatë një ngjarjeje përkujtimore të Ditës D në Francë. Ndërkohë shumë komentues thanë se lideri amerikan ishte “plotësisht i përhumbur”.

Një video tjetër shfaqi Biden-in duke qëndruar së bashku me krerët e G7 në Itali duke parë një demonstrim me parashutë. Në një çast, presidenti i SHBA-së u largua nga grupi, përpara se kryeministrja italiane Giorgia Meloni ta ndihmonte për ta drejtuar përsëri te anëtarët e tjerë.

Ndërsa në videon fundit teksa ishte në një mbledhje fondesh në Los Angeles me ish-presidentin Barack Obama, Biden u duk i ngrirë teksa po përshëndeste turmën. Më pas, ka qenë Obama ai që e ka ndihmuar të dalë jashtë skenës.