TIRANË- Shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër, do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributeve. Marrëveshja mes 2 qeverisë është nënshkruar ditën e sotme, e ndërsa nga ajo përfitojnë rreth 2 mijë shqiptarë. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të votohet në 2 Kuvendet dhe të dekretohet nga 2 presidentët, por pa dhënë një datë fikse.

“Zbatimi i marrëveshjes do të ketë efekt financiar për shtetasit shqiptar në momentin  kur ata të kenë mbushur moshën për pension, kur lind dhe e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore. Janë afërsisht 2,000 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, tha Ministrja.

Nënshkrimi i Marrëveshjes Kuadër në fushën e mbrojtjes shoqërore mes Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrit për Çështjet e Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale të Zvicrës, Alain Berset. Ky i fundit, tha se kjo marrëveshje do të sjellë ndryshime pozitive për 2 vendet.

"Është gjithë përfshirëse dhe krijon një bazë bashkëpunimi dhe jam besimpolotë se kjo sjell ndryshime pozitive për qytetarët tanë dhe të shkëmbimeve ekonomike. Procedura do të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur. Në takimin që patëm me zv.kryeministrin, diskutuam që Shqipëria dhe Zvirca janë të dyja të zotuara për Këshillin e Sigurimit në OKB, dhe ne jemi kandidate për të njëjtin status dhe ne do të bashkëpunojmë brenda këshillit me palën shqiptare. Mirëpresim përpjekjet dhe reformat në Shqipëri, Reformën Zgjedhore dhe Reformën në Drejtësi dhe janë shumë të rëndësishme dhe ne mbështetim dhe besojmë që do të hedhim një hap përpara", tha Berset.

Marrëveshja është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama.  

Çfarë parashikon marrëveshja?
Marrëveshja e re dypalëshe formalizon marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ajo mbulon sigurimet për moshën e tretë, si dhe për mbijetuesit dhe invalidët, dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit. Ajo gjithashtu vendos themelet për një bashkëpunim dypalësh për të luftuar mashtrimet dhe abuzimet me sigurimet shoqërore. Së fundmi, marrëveshja lehtëson lëvizshmërinë e shtetasve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata ndaj kontributeve të dyfishta të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja do të hyjë në fuqi sapo të miratohet nga parlamentet e të dy vendeve.