TIRANE- Parlamenti belg do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita në vend. Mbledhja e parashikuar për në ora 10.00 do të vendosë përpara deputetëve të opozitës, ministren e brendëshme, e cila është thirrur që të japë shpjegime për masat që ka dhe duhet të marrë ministria, pas idesë të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për tu dhënë shtetësi të gjithë shtetasve shqiptarë që e duan atë, pa asnjë kusht, dhe të huajve që duhet të paguajnë deri në 200 mijë dollarë. Lajmi për mbledhjen e sotme urgjente, nuk është publikuar në faqen online të parlamentit belg, dhe u bë i ditur për "Shqiptarja.com" nga burime diplomatike të Shqipërisë në Bruksel. Sipas opozitës qeveria e drejtuar nga Partia Nacionaliste Fleminge, nuk ka një plan të qartë se çfarë do të bëjë në rast të vërshimit të mijëra shtetasve të huaj në vendin me 11 milionë banorë, që prej mëse një viti po përballet me shtim të numrit të azilkërkuesve. Vetëm dy muaj më parë, qeveria federale e Belgjikës vendosi të kthejë në Shqipëri, 51 azilkërkues shqiptarë, që kërkonin strehim ekonomik në vendin anëtar të BE-së. Drejtori i përgjithshëm i Azilit, Rudy Roosemont erdhi vetë në Tiranë, duke paralajmëruar autoritetet shqiptare që të mos lejonin kalimin për në Belgjikëve të shtetasve që janë kontigjent i mundshëm për azilantë ekonomikë.

BERISHA
Si për ironi të fatit, në Bruksel edhe sot do të jetë kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cili merr pjesë në mbledhjen e radhës së Partive Popullore Europiane. Ai, për më tepër ripërsëriti tezat e tij nacionaliste, duke u shprehur se: "Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për t'i legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet". Dy ditë më parë Qeveria miratoi vendimin "Për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim të të huajve në rastet ku Republika e Shqipërisë ka interes shkencor, ekonomik dhe kulturor", që do të thotë shtetësi për shqiptarët jashtë kufijve dhe për të huajt që investojnë 200 mijë dollarë.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)