Shtetet e Bashkuara kanë besim se marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hamas do të fillojë të dielën

Shtetet e Bashkuara kanë besim se marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hamas do të fillojë të dielën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të enjten, (16 janar 2025), se ai ka besim se marrëveshja për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve, e rënë dakord nga Izraeli dhe Hamasi, do të fillojë siç ishte planifikuar të dielën, për t'i dhënë fund 15 muajve të luftimeve, pavarësisht një mosmarrëveshjeje të minutës së fundit ndërmjet palëve ndërluftuese.

"Kam besim dhe pres plotësisht që zbatimi do të fillojë, siç thamë, të dielën", u tha sekretari Blinken gazetarëve në Uashington në konferencën e tij të lamtumirës për shtypin si kryediplomati amerikan.

Për një kohë të enjten, fillimi i armëpushimit dhe lirimi fillestar i pengjeve u vunë në pikëpyetje pasi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi militantët për tërheqje nga disa pjesë të marrëveshjes.

Kryeministri Netanyahu tha se kabineti i tij nuk do të mblidhej për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

Nëpërmjet një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të "siguronte lëshime të minutës së fundit".

Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë "një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit". /VOA/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im