Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez, duke e cilësuar situatën e krijuar në Bregun Perëndimor si një “mrekulli”.
“Ajo që ka ndodhur në Bregun Perëndimor është një mrekulli. Një mrekulli”, u shpreh Netanyahu.
Ai theksoi se territori që sipas tij, duhej të shndërrohej në një shtet palestinez, nuk do ta marrë këtë status pasi Izraeli nuk do ta lejojë një gjë të tillë.
“Çfarë duhej të bëhej një shtet palestinez, nuk do të bëhet i tillë sot. Kjo nuk do të ndodhë, sepse ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi kryeministri izraelit.
Gjatë deklaratave të tij, Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se, nëse opozita izraelite vjen në pushtet, ajo do të lejojë krijimin e një shteti palestinez, si dhe tërheqjen e Izraelit nga Libani dhe Rripi i Gazës.
“Ata nuk do të bëjnë asgjë kundër Iranit”, deklaroi Netanyahu, duke kritikuar qëndrimin e opozitës për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Deklaratat e kryeministrit izraelit vijnë në një kohë kur çështja e krijimit të një shteti palestinez vijon të jetë një nga temat më të debatueshme të konfliktit izraelito-palestinez.
Qëndrimi i Netanyahut konfirmon kundërshtimin e tij ndaj krijimit të një shteti palestinez, ndërsa e ardhmja e Bregut Perëndimor dhe e Rripit të Gazës mbetet një çështje qendrore në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.







Komente
Komento