2 vjet pas rikthimit të debatit për Shtetin Bektashi i zbuluar nga kryeministri Edi Rama fillimisht në New York Times, kreu i PS-së Sali Berisha përsëriti kundërshtinë për krijimin e shtetit bektashi.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjete sociale Berisha tha se një projekt i tillë është antikushtetues.
“Kjo aventurë, e cila siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli”, tha Berisha.
Ndërsa sezoni i ri politik, po troket, Sali Berisha i qëndron idesë se qeveria e kryeministrit Edi Rama mund të rrëzohet vetëm me protesta.
“Kombinimi i formave të protestës është ndoshta i domosdoshëm për rrëzimin e tij. Por, Rama pa protesta qëndron në pushtet edhe 20 vite dhe ai nuk e meriton të qëndrojë as dy orë”, u shpreh kreu i PD.
Ndërsa në sheshin përpara kryeministrisë protestat e nisura në qershor vijojnë, por në shifra fare modeste pjesëmarrjeje, Berisha kërkon t’i japë oksigjen duke ftuar demokratët të bëhen pjesë e saj.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje demokratëve dhe demokrateve të Tiranës, por edhe mbarë Shqipërisë, por në veçanti të Tiranës, që të shndërrojnë shtatorin me pjesëmarrjen e tyre në protestën qytetare në muajin e goditjes vendimtare të regjimit antishqiptar, të regjimit diktatorial autokratik, të narkoregjimit të Edi Ramës dhe të shkojmë si një komb drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.










Komente
Komento