Shteti, dëbora dhe
mungesa e angazhimit qyteta

Situata e rënduar e motit në Shqipëri këto ditët e fundit dhe sidomos vështirësitë dhe izolimi që po përjetojnë banuesit e zonave më veriore të vendit, trishtojnë dhe merakosin këdo. Ndërkohë që askush nuk mund të parashikojë me saktësi “tekat” e natyrës, një sistem meteorlogjik ekziston gjithsesi dhe kështu s’kemi pse habitemi pasi tek e fundit njëherë që e ftohta polare filloi në Evropë normalisht do të vinte edhe drejt Shqipërisë.

Situata të tilla janë momente kyçe për të nxjerrë në pah largpamësinë dhe organizmin e një shteti. Çdo shtet ka një plan për emergjenca natyrore qofshin këto tërmete, përmbytje, zjarre, apo akoma më keq nukleare. Ngadalësia me të cilën po përballet ndërhyrja me ushqime dhe ilaçe të ndihmës së shpejtë nëpër zonat e veriut le shumë për të dëshiruar. Por edhe për të reflektuar. Ndërkohë që shteti e ka për detyrë që të kujdeset për shtetasit e vet, këta të fundit po ashtu duhet të kujdesen për veten por edhe për njëri tjetrin. Çfarë do të bënte vaki në Shqipëri nëse do të kishte ndodhur ndërprejra elekritke (The 2003 blackout) që ndodhi në 2003 në New York e që përfshiu edhe shtatë shtete të tjera të pjesës veriore dhe lindore të Amerikës si dhe një pjesë të Kanadasë? Kriza të tilla përveç organizimit të një shteti nxjerrin në pah edhe shpirtin e një kombi – dëshirën për të ndihmuar të tjerët në mënyrë të thjeshtë e umane.

Gjatë ndërprerjes së elektricitetit ne 2003, si miliona New York-eze edhe unë dola nga zyra dhe u dynda bashkë me kolegët në rrugët e Manhattan-it që u mbushën lumë me njerëz ashtu siç nuk i kam parë asnjëherë. Po të kemi parasysh që popullsia e Manhattan-it është rreth 9 milionë imagjinohet lehtë çfarë dyndje të paparë njerëzish kishte nëpër rrugë atë ditë. Shtoji këtij skenari edhe faktin që semaforët normalisht nuk punonin dhe vetëm levizja e trafikut të njerëzve dhe makinave do e bënte lëmsh New York-un le të tjerat. Çfare ndodhi? Njerëzit iu futën punës për të “zgjidhur” lëmshin qe i kapi krejt papritur. Zyrtarët hoqën xhaketat dhe përveshën llërët e filluan të bëjnë policët rrugorë në mënyrë që të levizte si trafiku i këmbësorëve edhe ai i makinave. Njerëzit ndalonin të pyesnin të moshuarit dhe gratë shatzana në qoftë se kishin nevojë për ndihmë, ujë e kështu me rradhë. Një frymë e tillë bashkëpunimi kolektiv me kurajo civile ishte e vetmja gjë që e shpëtoi New York-un edhe nga një katastrofë e mundshme huliganizmi mes të tjerave. Ndërkohë që ndërhyrja e pushtetit lokal në ato momente krize ishte e mobilizuar, suksesi i përballimit të një krize të tillë në mënyrë efektive, prej të gjithë analizave të bëra, iu takoi vetë qytetarëve të Manhattan-it për gjakftohtësine e treguar e mbi të gjitha për bashkëpunimin dhe ndihmën që i dhanë njëri-tjetrit.

Nga ana tjetër, kriza e shkaktuar prej urraganit Katrina në 2005 hyri në historinë e Amerikës si një ndër fiaskot më të mëdha të mungesës së ndërhyrjes të shtetit në nivelin pushtetor, ligjor dhe institucional (1). Sikur kjo të mos mjaftonte, përdhunimet, vjedhjet dhe huliganizmi që ndodhën gjatë atyre ditëve e bënë situatën jo vetëm më të rënduar por edhe më të frikshme si për shtetin ashtu edhe për qytetarët e thjeshtë. Ndërkohë që shteti thellonte mungesën e pergjigjjes në mënyrë emergjente, individë, organizata jo-qeveritare dhe fetare, u organizuan në mënyrë të pavarur dhe për ditë me rradhe ishin të vetmit që ndërhynë dhe punuan me qytetarët e New Orleans-it.

Këto dy raste ilustrojnë fare thjeshtë se ndërhyrja e shtetit nuk është gjithmonë në nivelin e duhur. Një gjë e tillë u provua në Amerikë dhe mund të provohet kudo nëpër botë e sidomos në vendet në zhvillim e sipër. Por këto dy raste tregojnë po ashtu që angazhimi i qytetarëve është gjithmonë një pikë kyçe e çdo shoqërie. Angazhimi i tyre në momente krizash tregon pjekurinë morale dhe umane të një kombi.

Fatkeqsisht, ose fatmirësisht, ne e dimë mirë ku na pikon çatia me klasën politike Shqiptare: meskiniteti i tyre dhe përmbushja e nevojave personale është vetëm maja e ajsbergut. Kriza të tilla për të përballuar siç duhet ndërhyrjen në kohë emergjencash natyrore janë momente që masin jo vetëm organizimin e një shteti, ose më mirë të themi mungesën e organizimit, por edhe atë të ndërgjegjësimit të një kombi. Kurajoja qytetare e një kombi sot mund ta tregojë veten me vepra. Ashtu siç politikanët kanë punën e tyre, edhe shtetasit nuk mund të flenë mbi dafina dhe vetëm të rrinë e të presin prej shtetit, sidomos kur ky i fundit nuk mbahet për largpamësi dhe organizim. Shtetasit e një kombi kanë detyrën morale të angazhohen në jetën civile të vendit si dhe t’i përcjellin problemet e tyre në pushtetin lokal e kështu me rradhë. Qytetarët e Dibrës, Tropojës apo Pukës mund të organizohen vetë dhe të ndihmojnë banorët e rrethinave të këtyre qyteteve. Rrjeti i organizatave jo qeveritare po ashtu mund të bëjë të njëjtën gjë: të gjejë menyrën për të organizuar ndihmën e duhur në zonat veriore, e po të jetë e nevojshme edhe të marrë rrugën drejt veriut të Shqipërisë ashtu siç i marrin rrugët e Evropës në rastin më të parë për të ndjekur një mbledhje diku ne Francë, Gjermani apo Hollandë.

Çdo njëri prej nesh ka diçka në dorë. Kur mungesa e organizimit të një shteti del në pah, edhe ajo e ndërgjegjësimit të qytetarëve vijon shpejt. Një ndër gjërat që çdo njëri prej nesh mund dhe duhet të bëjë është të kontaktojë deputetin e zonës e t’i kërkojë llogari deri në një për mungesën e ndihmës, sepse Puka dhe Tropoja s’kanë nga të shkojnë, aty do të mbeten dhe çdo herë që të bjerë borë si këtë rradhë ashtu do vazhdojnë të mbulohen prej saj. Parlamentet nuk janë shtëpi akstrakte apo akoma më keq, shtëpi kukllash, ato janë bërë për të shprehur nevojat e njerëzve dhe zërat e tyre. Por kur këta zëra nuk përçohen e madje manipulohen në emër të njërës forcë politike apo tjetrës, ajo që ngelet është shpirti i një kombi: dëshira për të ndihmuar njëri tjetrin në kohë të vështira. Parlamenti mund dhe duhet të ngrejë një grup pune që të shqyrtojë gabimet e bëra gjatë kësaj nderhyrjeje emergjente në zonat e veriut. Kështu, pasi të ketë shqyrtuar situatën dhe të ketë mundur të identifikojë problemet të mund të marrë masa më efektive për të ardhmen. Së shpejti dëbora do të shkrihet e kthehet në ujë dhe uroj që shteti të ketë mësuar mësimet e përmbytjes së Shkodrës dhe të paktën të paraprijë një tjetër katastrofë të mundshme.

(1) Për më shumë detaje shiko raportin e publikur rreth mungesës së ndërhyrjes efektive të shtetit Amerikan në lidhje me urraganin Katrina ne www.gpoaccess.gov/katrinareport/execsummary.pdf


  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate