Lufta kundër krimit të organizuar, menaxhimi i migracionit dhe forcimi i shtetit të së drejtës kanë qenë në fokus të takimit që ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi një ditë më parë me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo.

Delegacioni i BE-së në Tiranë publikoi sot detaje nga takimi, ndërsa ambasadorja theksoi se shteti i së drejtës mbetet në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Shteti i së drejtës mbetet në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. E urova Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për emërimin e tij dhe diskutuam mbi punën që na pret për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin dhe për të forcuar shtetin e së drejtës.  Diskutuam gjithashtu për qeverisjen vendore dhe për rëndësinë që kanë bashkitë e forta dhe efikase në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët”, tha Moreira de Sousa.