Synimi edhe këtë herë ka qenë nxjerrja jashtë nga ambientet e ish- ekspozitës “Shqipëria Sot” dhe mbyllja e programeve kryesore të saj. Dhe kjo përpjekje e radhës ndodh pas vitesh të tëra përpjekjesh të qeverisë, pas presionit politik, pas vënies prej saj nën kontroll të gjyqësorit dhe pas një veprimi te pareshtur me të vetmin synim: Ekzekutimin e Top Channel.
Rezulton nga të gjitha veprimet se që prej fillimit të këtij aksioni të gjatë politik ndaj kësaj medie, qëllimi i vetëm ka qenë mbyllja ose vënia në kushtet e pamundësisë të Top Channel. Ky qëllim është kërkuar vazhdimisht të realizohet përmes të gjitha formave: Dëbimit nga ambientet e tij, proceseve gjyqësore, presionit financiar, në mënyrë që televizioni më i ndjekur i shqiptarëve të mos ketë mundësi të ushtrojë aktivitetin, të mos realizojë misionin e informimit dhe të mos ketë mundësi që të kritikojë apo denoncojë fenomenet negative që lidhen me keqqeverisjen.
Prej shume vitesh Top Channel është dashur të përballet me sulme direkte të pushtetit, në mënyrë që televizioni të ndryshojë politikën e tij editoriale, të heqë dorë nga kritika e pasqyrimi realist të ngjarjeve, sepse në të kundërt i është bërë e qartë se ai nuk duhet të ekzistojë. Të gjitha vendimet e marra kanë pasur synim mbylljen e televizionit, dhe në rastin tjetër, vendosjen në vështirësi që herët apo vonë të thyenin pavarësinë e tij.
Aktualisht, për shkak të këtij sulmi shumëvjeçar dhe të paprecedent të qeverisë, disa prej emisioneve më të ndjekura të shqiptarëve në Top Channel, si Portokalli, Top Story, Top Show, Procesi Sportiv apo E dua vendin tim, rrezikojnë të ndërpresin transmetimin.
Për këtë ndihmoi së fundi me një vendim edhe Gjykata, e cila nën ndikim politik dhe jo vetëm, iu bashkua radhës së vendimeve politike duke vendosur që Top Channel të dëbohet nga ambjentet e ish- ekspozitës “Shqipëria Sot”, pavarësisht se ka një kontratë me shtetin shqiptar deri në vitin 2025 dhe pavarësisht se ka paguar rregullisht të gjitha detyrimet financiare ndaj tij.
Përgjatë gjithë historisë gjyqësore, gjykata e të gjitha shkallëve, në mënyrë të hapur apo të fshehur ka treguar se është vasale jo vetëm e interesave politike, por edhe atyre financiare e klienteliste.
Prej katër vitesh Top Channel ka kërkuar pikërisht nga ky gjyqësor të bëjë drejtësi për çështjen e ish ekspozitës kur ministri i Ekonomise i asaj kohe Genc Ruli vendosi pa asnjë paralajmërim, në mënyrë të dyshimtë dhe në ditën e fundit të tij si ministër, për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe të menjëhershme me Top Channel dhe për ti dhënë udhë sulmit të radhës ndaj Top Channel me synim eleminimin e televizionit.
Në letrën e beftë që i dërgoi atë kohë Top Channel, ministri ruli i referohej ligjit për zgjidhjen e njëanshme të kontratës por nuk thoshte asgjë për kushtet ligjore të kontratës mes ministrisë dhe shoqërisë Top Channel, e cila kishte vlerë ligjore deri në vitin 2025. Top Channel i është përmbajtur jo vetëm me rigorozitet, por ka tejkaluar me disa here kushtet e kontratës, duke e kthyer godinën e vjetër të ish- ekpozitës “Shqipëria sot”, në ekspozitën e kulturës dhe artit të së ardhmes.
Ky vendim i ministrit Ruli u padit në gjykatë nga Top Channel. Top Channel deklaron se respekton te drejtën e ish- pronarëve për të marrë pronën e tyre dhe ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Por ndërkohë Top Channel kërkonte edhe zbatimin e ligjit nga ana e qeverisë, siç është në rastin e kontratës që TV TCH kishte nënshkruar me qeverinë për objektet ku ushtron një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij dhe ku ka kryer investime në disa milionë euro.
Por në asnjë rast asnjë argument kontraktual dhe ligjor nuk është respektuar nga kjo qeveri, e cila vazhdimisht u investua dhe u angazhua në beteja të paprecedenta kundër një medie. Këto sulme të njëpasnjëshme do të ndaleshin vetëm nëse Top Channel do të vihej nën kontroll si çdo institucion tjetër në vend.
Nëse do të ndodhte kjo, Top Channel mund të fitonte disa ambiente, mund të fitonte edhe financime direkte nga qeveria, por do të humbiste shumë më tepër. Pushteti politik duhet të kuptojë se kontrata më e rëndësishme e Top Channel nuk është ajo për ambientet.
Kontrata më e rëndësishme është ajo që Top Channel ka me shqiptarët, kontratë që e ka bërë televizionin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend. Kontratë, që Top Channel është i vendosur që mos ta shkelë kurrë.
Marrë nga TCH
KRONOLOGJIA E NGJARJEVE TË TCH ME QEVERINË “BERISHA”
“Top Channel” është vënë në shënjestër të qeverisë aktuale pothuajse që kur ajo erdhi në pushtet në vitin 2005. Qeveria nisi betejën me këtë media, duke e konsideruar “armiken” më të madhe për shkak të qëndrimeve realiste dhe kritike të saj. Shpeshherë kjo media është vënë në qendër të sulmeve direkte apo përmes gjobave dhe vendimeve të gjykatave, duke bërë që kjo media të vendoset në vështirësi dhe pamundësi për të punuar.
Synimi ka qenë nxjerrja jashtë nga ambientet që kjo media disponon si në qendër pranë “Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, ish – Piramida, por dhe ambientet e ish- ekspozitës “Shqipëria Sot”. Reth vitit 2007 sulmi i parë iu drejtua ambienteve në qendër pranë ish- “Piramidës”, ku u fol se aty do të ndërtohej një qendër e stërmadhe arti, e ku shumë para u hodhën “lumë” nga ministri i Kulturës asokohe Ylli Pango.
Më pas u fol se mund të ndërtohej Kuvendi i ri por deri më sot nuk është bërë asgjë, pasi ajo ndërtesë ka mbetur gërmadhë. Së fundmi u kërkua që të liroheshin ambientet e ish-ekspozitës me arsyetimin se ky truall duhej t’u kthehej ish-pronarëve. Shumë studio të reja, të kësaj media janë shpërngulur në autostradë, ku pritet që e gjithë media të shpërngulet në një ndërtesë të madhe shumë katëshe ende në ndërtim.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)