Shifrat e INSTAT tregojnë se martesat po pësojnë një rënie historike sepse 1 në 3 të tilla përfundon në divorc. Regresi i institucionit të martesës ngre pikëpyetje për shkaqet rreth tij, për të cilat formati “Sot Live” në Report Tv, u përpoq t’u jepte përgjigje.
Sociologia Arjana Muça rendit si një prej shkaqeve emigracionin, i cili krijon një distancë jo vetëm fizike, por edhe emocionale.
“Një familjar duke qenë se është në vështirësi ekonomike, përpiqet të gjejë një zgjidhje nëpërmjet emigrimit për të ndihmuar familjen. Këto lëvizje shoqërohen me problematika sepse ndarja fizike ndodh për një kohë të gjatë mes personit dhe familjes. Ajo që vihet re shpesh është ndarja emocionale që ndodh mes partnerëve që sjell edhe konfliktet në çift që çojnë drejt divorcit”, tha Muça.
Avokati Roland Islami e sheh divorcin si shërim. Ai rendit si një prej shkaqeve kryesore martesat fiktive që sipas tij përbëjnë mbi 50% të rasteve. Më tej shton se divorcet favorizohen edhe nga dhuna fizike e psikologjike.
“Unë mendoj që zgjidhja e martesës duhet të shihet si një shërim i mosmarrëveshjeve. Divorcet vijnë nga dhuna, fillimisht nga dhuna psikologjike. Shpeshherë në Shqipëri, degradon në dhunë fizike që shpesh bëhet në praninë e fëmijëve. Shkaqet kryesore, shtimi i zgjidhjes së martesës në Shqipëri vijnë prej martesave vetëm për mbiemër për arsye të heqjes së deportimit në zonën Schengen. Zona Schengen ka dhënë një deportim të mbiemrit aktual që personi ka dhe ai është martuar sepse kjo është e vetmja mënyrë që të ndryshosh mbiemrin, duke marrë mbiemrin e bashkëshortit/es. Shtimi i martesave fiktive ka sjellë shtimin e zgjidhjes së martesave në gjykatë që unë mendoj se është mbi 50%”, tha avokati.
Sociologia përmend gjithashtu se tkurrja e institucionit të martesës vjen edhe prej faktit se të rinjtë po preferojnë bashkëjetesën. Pavarësia ekonomike gjithashtu ka ndihmuar gratë për të mos qenë të varura, por nga ana tjetër, mentaliteti krijon diferencime mes çiftit.
“Pjesa më e madhe e gjinisë femërore kanë fituar një liri tyren sa i takon pjesës së arsimimit që u jep liri ekonomike dhe nuk kemi më një grua të nënshtruar në një martesë, e varur nga pikëpamja ekonomike që ka përjetuar dhunën ekonomike. Sot kemi edhe faktorë të tjerë. Jam dakord me pjesën e martesave fiktive, por kemi dhunën në familje, migrimin e brendshëm të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane që vijnë me një mentalitet dhe pavarësisht se migrojnë, mbartin me vete këtë mentalitet që shkakton konfliktet në çift”, tha Muça.
Islami shprehet me siguri se tradhtia është një tjetër faktor ndikues.
“Tradhtia bashkëshortore është shumë e përhapur sot, madje është e kamufluar, pason dhunën fizike e psikologjike. Në shumicën e rasteve zbulohet me vonesë nga bashkëshorti/ja. Vjen edhe si rezultat i streseve ekonomike që shumica e bashkëshortëve kanë në familje, në shumicën e rasteve kemi bashkëshortë që kanë varësi nga droga dhe nga alkooli që kthehen në dhunë. Kemi edhe mosmarrëveshje mbi fëmijët. Prindërit nuk dinë si të sillen me fëmijën dhe mosmarrëveshja vjen për shkak të sjelljes së njërit nga bashkëshortët me fëmijët, si rezultat i papajtueshmërisë që kanë fëmijët, sjell atë që quhet përplasja e brezave”, tha avokati duke shtuar edhe rastet e xhelozisë apo ndikimit të traditës familjare.
Muçaj e vë theksin te politikat sociale. Vështirësitë ekonomike dhe financiare janë një ngërç për të rinjtë që i privojnë nga dëshira e tyre për të lidhur një martesë.
“Politikat sociale nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por të jenë të zbatueshme. Nëse ka banesa sociale, të jenë të prekshme për të rinjtë, t’u jepet një mundësi që mos ta fillojnë çdo gjë nga zero. Nëse sigurojnë një banesë, të kenë mundësi për një punë që u jep të ardhura ekonomike për të përballuar jetesën. E gjitha është e lidhur me politikat sociale. Ka shumë të rinj që duan të krijojnë familje, por nuk kanë kushtet për finalizimin”, tha ajo.
Sipas avokatit, pjesa më e madhe e divorceve ndodhin nën moshën 40 vjeç sepse të rinjtë janë më të predispozuar të ndahen. Islami ia atribuon këtë mospërputhjes së pritshmërive të tyre me realitetin.
“Mendoj që shkak kryesor është paketimi i pritshmërive të rreme që kanë të rinjtë sot. Kanë paketuar ca pritshmëri nga martesa që janë thjesht iluzione të rreme në mungesë totale të realitetit. Ajo cka vjen më pas është ajo që duhet ta pranojmë. Sot është rritur shumë infertiliteti i femrave dhe çështje të tjera kryesore që shkaktojnë stres”, përmbylli avokati.
Komente









