Familjet shqiptare po kalojnë një periudhë të fortë tranzitore nga fenomenet e migracionit, varfërisë, kostove të larta të jetesës që po ndikojnë në uljen e martesave dhe nga ana tjetër divorcet kanë tendencë rritëse.
Arjana Muça, sociologe e ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ theksoi se fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për të mira materiale, por edhe për vëmendjen e prindërve. Sipas saj roli prindërve është venitur kohët e fundit.
"Koncepti i familjes nuk është më ai tradicionali, sot kemi një familje bërthamë më të vogël më individualiste ndryshe nga familjet e viteve ’90. Familja është baza e formimit të fëmijëve, se si rritet edhe edukohet. Sot kemi prindër që janë pak ose aspak në 'territorin' e familjes. Ne sot kemi prindër që më shumë po i kushtohen vëmendjen karrierës së tyre dhe harrojnë rritjen e fëmijëve sidomos në hapat e parë", tha Muça.
Ndër të tjera ajo theksoi se shumë fëmijë e cilësojnë veten fajtorë kur prindërit e tyre divorcohen- edhe pse mund të jetë një ndarje me marrëveshje nga të dyja palët.
"Kemi një numër të lartë divorcesh për shumë arsye dhe ai që preket nga kjo është fëmija. Ata mendojnë se janë fajtor për zënkat e prindërve të tyre. Fëmijët tani po rriten më shumë me dadot, nuk kemi më atë konceptin e rritjes nga gjyshërit që rrisin fëmijë të shëndetëshëm emocionalisht. Ajo që i mungon fëmijëve është roli i prindërimit që ka filluar të venitet - ku prindi vendos rregullat dhe normat brenda familjes. Kemi prindër inekzistent",shtoi ajo teksa theksoi se në shumë situata më shumë e pranishme është inteligjenca artificiale.
Në fund Muça nënvizoi prindërit duhet të kenë më shumë komunikim me fëmijët- për të dëgjuar shqetësimet që kanë.
"Kur ndërtohet një shtëpi ka nevojë për themele të forta. Prindërit harrojnë që bazat e zhvillimit të fëmijëve ndërtohen që në fillimet e hapave e tyre të para. Nuk ka nevojë vetëm për kurse, ka nevojë për figurën e prindërve. Fëmija ka nevojë për prindërit që t'i tregiojë shqetësimet që ka në shkollë. Fënija nuk ka nevojë vetëm për t'i thënë që këto para janë për të ardhmen tënde.
Sot fëmijët përballen me fenomene të ndryshme, si bullizmi të cilat kanë shkuar në raste ekstreme. Nëse ne rrisim një fëmijë që i sigurojmë vetëm bazë marteriale, kemi rritur një individ bosh, që i mungon empatia për shokët, i mungon komunikimi. Prindërit shqiptarë përpiqen shumë, por fëmija ka nevojë përkujdesje, mbështetje jo vetëm për t'i siguruar të ardhuara apo pajisje teknologjike më të fundit. Kujdeseni për fëmijët tuaj,pasi lini një boshllëk të madh kur nuk jeni të pranishëm" nënvizoi ajo
Komente











