Rritja e çmimeve kapërcen parashikimet, Sejko: Inflacioni do jetë mbi 3% këtë vit! Objektivi për ulje është i paarritshëm në 2022-n, shtyhet për vitin tjetër

TIRANË- Kostoja e jetesës do të jetë edhe më e lartë përgjatë vitit 2022, pasi rritja e çmimeve po rezulton më e fortë se parashikimet fillestare. Banka e Shqipërisë raporton se inflacioni këtë vit do të jetë më i lartë se 3%, çka do të thotë se çmimet do të vazhdojnë të rritet.

“Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, të lëndëve energjetike, të kostove të transportit dhe të mallrave bazë në tregjet botërore, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e inflacionit në tremujorin e katërt”, u shpreh guvernatori Sejko.

Guvernatori i bankës Gent Sejko tha se ndryshe nga sa ishte parashikuar inflacioni do të kthehet në objektiv prej 3% në vitin 2023 dhe jo këtë vit. Kjo shtyrje vjen  për shkak se këtë vit inflacioni do të jetë mbi 3% dhe pritet ulje në vitin që vjen.

“Më tej, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë vitit 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin”, tha Sejko në konferencë.

Shkak për rritjen e fortë të inflacionit është bërë shtrenjtimi i produkteve në tregjet ndërkombëtare.

“Rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, të lëndëve energjetike, të kostove të transportit dhe të mallrave bazë në tregjet botërore, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e inflacionit në tremujorin e katërt.”, tha Guvernatori.

Shkak për këtë rritje të çmimeve është bërë kërkesa e lartë për konsum, ndërkohë që oferta është e ulët.

“Inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin 3%, duke filluar nga viti 2023. Kthimi dhe stabilizimi i inflacionit rreth objektivit do të mbështetet nga reduktimi i goditjeve të ofertës dhe nga balancimi i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonominë shqiptare”, tha Sejko.

Pavarësisht këtij informacioni, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e ulët historik prej 0.5%.

“Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, tha Sejko.

Sejko pohoi se pavarësisht se ekonomia po pëson rritje, probleme po hasen në punësim.

“Në nivel global, rimëkëmbja e ekonomive nga goditja e pandemisë është e fortë, por e pabarabartë midis vendeve. Po ashtu, ajo vazhdon të karakterizohet nga probleme në zinxhirët e furnizimit dhe mungesa në fuqinë punëtore. Kërkesa e fortë për mallra e shërbime, kufizimet në ofertë dhe çmimet e larta të energjisë elektrike kanë shtyrë lart inflacionin global. Në këtë kontekst, perspektiva e politikës monetare globale është drejt normalizimit, çka është reflektuar edhe në sjelljen e tregjeve financiare ndërkombëtare”, shtoi ai.

Sa i takon situatës ekonomike, Guvernatori tha se rritja do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.

“Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Rritja e aktivitetit pritet të mbështetet si nga kërkesa e brendshme dhe nga ajo e huaj, duke pasqyruar kushtet e favorshme të financimit, përmirësimin e besimit dhe të bilanceve të sektorit privat, si dhe rritjen e kërkesës në ekonomitë partnere. Përkundrejt niveleve të larta të vitit 2021, normat e rritjes ekonomike pritet të vijnë në reduktim gjatë vitit 2022 e në vazhdim”, tha Sejko.

Guvernatori përsëriti edhe një herë apelin për të ulur borxhin publik pasi do të rriste qëndrueshmërinë fiskale.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gazmend: 03/02/2022 08:31

    Duhet të flasim për realitetin dhe jo për dëshirat e mira. 10/90. ky është bilanc eksport/import i Shqipërisë. të gjitha çmimet dhe kostoja e zinxhirit të furnizimit janë në rritje. si do ta kontrollosh? mbyllja e kufijve?

    Përgjigju
  • Riku: 02/02/2022 18:36

    Po mire mo po cmimet rriten sic thua vete rrogat nuk rriten shqiperia ne renditjet ekonomike performon me dobet ne ballkan e Europe... si leshin kemi rritje ekonomike... se llap ti llap pushteti llapin mediat zar po rritja ndjehet dhe pa llapur fare kur eshte po realisht nuk ndjehet... keshtu qe kush ka.. po pasurohet aq sa te konsiderohet rritje per gjith vendin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha